E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet e plagoset taksisti, policia arreston autorin

24/05/2010 Ngjarja në mesnatë, drejtuesi me 2 plagë

DURRES- Është plagosur në trup një shtetas nga Durrësi, pasi ai ka kundërshtuar t’i lërë mjetin e tij grabitësit të armatosur. Taksisti Namik S. nga qyteti bregdetar është plagosur në orët e vona të natës në kohën që është vënë në shërbim të shtetasit të dyshuar për krimin Mikel Shaqa. Autori 22-vjeçar ka shkuar tek shërbimi taksi në periferi të Tiranës dhe atje ka hipur në taksinë tip Benz 190 me targa TR 1196 J duke i dhënë drejtuesit të taksisë edhe destinacionin e udhëtimit. Mjeti i drejtuar nga taksisti është vënë në rrugë, por pasagjeri e ka ndaluar disa kilometër nga qyteti. Policia nuk ka dhënë asnjë detaj lidhur me këtë ngjarje, ndërsa ka pohuar se taksisti është qëlluar me armë zjarri në kohën që ka kundërshtuar të dorëzojë mjetin e tij. Duket se 22-vjeçari ka pasur si synim grabitjen e dhunshme të mjetit Benz dhe për të realizuar krimin ka marrë me vete edhe një armë zjarri. Burime zyrtare të policisë kanë pohuar se ngjarja ka ndodhur në kilometrin e 24-t dhe se i dëmtuari ka marrë dy plagë në trup. Drejtuesi i taksisë është grindur me dhunuesin e armatosur me pistoletë, duke kundërshtuar se nuk do të pranonte me asnjë kusht t’i lëshonte në dorë timonin e Benz-it. Burime policore thonë se 22-vjeçari ka qenë i vetëm në taksi dhe se ngjarja ka ndodhur në orët e vona të natës. Gjatë natës dhe paradites së djeshme policia ka punuar për të identifikuar autorin. Sipas policisë, Mikel Shaqa është autori i akuzuar për këtë krim dhe dje në drekë ka mundur ta identifikojë dhe ta ndalojë 22-vjeçarin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›