E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet kazinoja, dy plagosen

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Grabitet nga tre persona me maska e të armatosur një pikë lojërash fati në periferi të Korçës. E njohur si zonë ku luhen shuma të mëdha parash, autorët kanë hyrë brenda në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Miliona lekë mendohet të jenë grabitur nën forcën e armëve, ndërsa dy klientë u plagosën, pasi autorët qëlluan në ajër për të frikësuar personat që ndodheshin brenda tij. Ngjarja u bë publike, pasi stafi i spitalit të Korçës njoftoi policinë për dy të plagosurit me armë zjarri, duke zbuluar dhe faktin, se lokali i lojërave të fatit ishte pa licencë. Mësohet se si kazino shërben një dhomë, në një mjedis të brendshëm, në një nga godinat e ndërtuara në anën e djathtë të rrugës, që të çon në fshatin Dishnicë, rreth 1 kilometër në të dalë të Korçës. Vendndodhjen e saj e dinë një rreth i ngushtë personash, të njohur me njëri–tjetrin, të cilët luajnë me shuma të mëdha të hollash. Kjo kazino ilegale frekuentohej vetëm natën deri sa zbardhte dita. Pikërisht në të gdhirë, kur ora shënonte rreth 04:00 ajo është sulmuar nga grabitësit. Sipas informacionit të dalë nga një prej të plagosurve është mësuar, se ndërsa njëri nga të maskuarit mbushi automatikun dhe e mbante atë të drejtuar nga klientët e kazinosë gati për zjarr, dy grabitësit e tjerë futën në një qese gjithë paratë që gjetën mbi tavolinën e lojës dhe nëpër xhepat e të pranishmëve. Në fund pasi kanë dalë dy grabitësit me qesen e mbushur me lekë, grabitësi i tretë ka qëlluar me breshëri sipër kokave të së pranishmëve. Ata janë shtrirë përdhe dhe kanë qëndruar për minuta të tëra në heshtje. Kanë filluar të lëvizin vetëm kur dy personat e plagosur kanë diktuar plagët. Mendohet se ata janë plagosur nga kthimi rikoshet i plumbave që kanë qëlluar murin përballë derës. Ndërsa dy prej tyre kanë çuar të plagosurit deri te dera e urgjencës së spitalit, bixhozxhinjtë e tjerë janë shpërndarë. Rreth orës 04:20 të mëngjesit të djeshëm ata janë dërguar në urgjencën e spitalit të Korçës. Burime nga spitali pohuan se ata janë Gj.K., 52 vjeç dhe A.P., 48 vjeç. Pas ndërhyrjes së mjekëve roje nate për ndalimin e hemorragjisë dhe pastrimin e qepjen e plagëve, të cilat i kishin në këmbë, kanë qëndruar për afro tre orë në sallën e reanimacionit.
Policia e Korçës gjatë gjithë ditës së djeshme ka zhvilluar hetime intensive rreth kësaj ngjarjeje, derisa në mbrëmje ka bërë të ditur se arrestoi dy prej grabitësve, ndërsa njëri në kërkim. Sipas policisë, ata janë Gentian Kosta, 32 vjeç, Markel Busho, 25 vjeç, të arrestuar, ndërsa në kërkim është Markel Aliko, 21 vjeç. Atyre nuk iu kapën në flagrancë paratë e grabitura, ndërsa janë marrë menjëherë në pyetje. Sipas policisë, këta persona kishin dijeni për paratë e shumta që do të qarkullonin atë natë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›