E Diel, 1 Nëntor 2026

Paskuqan, gjendet fëmija i humbur, Policia e Tiranës: Iku nga banesa

 

TIRANE – Policia e kryeqytetit njoftoi dje gjetjen e një fëmije të mitur, i cili dyshohet se është larguar nga familja dhe nuk orientohet për t’u kthyer sërish në të. Burime zyrtare të policisë së Tiranës pohuan dje se i mituri, i cili është i moshës 5 – 6 vjeç është gjetur në zonën e Paskuqanit dhe tashmë ndodhet në komisariatin numër pesë. Sipas burimeve policore, një kalimtar kishte vënë re fëmijën që sillej nëpër rrugë dhe që nuk orientohej për t’u kthyer në banesë. Ai ka njoftuar një polic që po kalonte rastësisht, i cili e ka dërguar të miturin në komisariat. Gjatë kësaj kohe psikologët që kanë pyetur fëmijën nuk kanë mundur të mësojnë asgjë rreth familjes së tij, madje as vetë emrin e të miturit. Për këtë arsye policia ka publikuar këtë fakt, duke i kërkuar ndihmë qytetarëve, të cilët mund ta njohin të miturin për t’u paraqitur në komisariat apo për të kontaktuar në numrin telefonik fiks 042200182. Duke dhënë detaje për të, policia pohon se i mituri që i përket moshës 5 - 6 vjeç, është i gjatë rreth 110 centimetër, ka flokë ngjyrë gështenjë, sytë ngjyrë të zezë, ndërsa mban veshur xhinse blu dhe triko ngjyrë blu me vija të bardha dhe të kuqe. “Lutemi familjarëve apo personave që mund ta njohin, të paraqiten pranë ambienteve të Komisariatit numër 5, apo mund të kontaktojnë në numrin telefonik 2200182”, përfundon njoftimi policor.                             da.bi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›