E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, serbët hetojnë trafikun e organeve

 

Trazhgim Sokolaj

    Prokurori serb i Krimeve të Luftës, Vladimir Vukcevic, ndodhet në Tiranë për të hetuar pretendimet e ngritura në librin e ish-kryeprokurores së Hagës Karla del Ponte, për trafik organesh. I shoqëruar nga zëvendësprokurori dhe zëdhënësi i tij, kryehetuesi serb i krimeve të luftës, zhvilloi një takim dje rreth orës 09:00 me Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama. Burimet zyrtare thanë dje se “mes Kryeprokurores Ina Rama dhe prokurorit serb të krimeve të luftës Vladimir Vukcevic u diskutua çështja e pretendimeve të ngritura në librin “Gjuetia”, të ish-kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, Karla del Ponte. Zëdhënësi i prokurorit serb, gjatë një deklarate për mediat ndërkombëtare e cilësoi takimin konstruktiv, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme që mbajtën palët pjesëmarrëse. Ndërkaq, Zyra e Kryeprokurores Ina Rama, tha se “Prokuroria e Përgjithshme bëri prezente gjatë takimit rezultatet e një procesi inspektimi dhe verifikimi të përbashkët, të kryer që në vitin 2005 me hetues të ardhur nga Haga dhe prokurorëve të rrethit të Matit në disa zona dhe ambiente në Burrel. Në përfundim të këtij procesi, hetuesit e Hagës së bashku me prokurorët e Matit, arritën në konkluzionin se të dhënat që posedonin hetuesit e Hagës për atë që pretendohej se kishte ndodhur në Burrel, nuk ishin të vërteta”. Sipas burimeve të Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë, gjatë takimit të zhvilluar dje në këtë institucion, “palës Serbe i është sqaruar pozicioni dhe të drejtat proceduriale të Prokurorisë shqiptare, në lidhje me kryerjen e veprimeve të kërkuara nga autoritet serbe në lidhje me këtë çështje”. Zyrtarët e organit të akuzës në Tiranë, thanë se prokurorët serbë nuk mund të kryejnë hetime me vlerë proceduriale para gjykatave, në rast se nuk marrin leje paraprake nga shteti shqiptar, si dhe në rast se prokuroria vendase nuk është pjesë e këtyre veprimeve. Burimet zyrtare thanë dje në mbrëmje se prokurorët serbë ende nuk kanë leje për të bërë hetime për këtë çështje në Shqipëri, por nga ana tjetër, Prokuroria deklaroi se në takimin mes dy kryeprokurorëve, “palët ranë dakord të mbeten të hapura më tej, në trajtimin e të gjitha çështjeve që mund të kërkojnë ndihmën e përbashkët”. Në një deklaratë të mëparshme pak ditë pas botimit të librit “Gjuetia”, me autore ish-kryeprokuroren e Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë pati deklaruar se një hetim ndërkombëtar ishte kryer për këtë çështje në vitin 2005. Veprimet hetimore ishin realizuar nga Prokuroria shqiptare bashkë me hetuesit e Hagës, të cilët kishin arritur në përfundimin se të dhënat për trafik organesh në zonën e Burrelit, nuk rezultonin të vërteta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›