Raporti sekret i 23 majit 1990: Si i asgjësuam shkelësit e kufirit
AFRIM IMAJ
Kur përballja me shkelësit ka marrë fund, komisari i postës së Starejes ka urdhëruar drejtuesin e operacionit për të hedhur në letër dinamikën e ngjarjes. Pastaj raporti sekret është ripunuar edhe një herë prej tij dhe është përcjellë për në komandën e Batalionit të kufirit. Aty është studiuar imtësisht, janë bërë korrigjimet përkatëse dhe menjëherë është adresuar në Degën e Punëve të Brendshme të Ersekës. Prej aty me siglën urgjent do të përfundonte brenda ditës në Ministrinë e linjës në Tiranë. Funksionarët e sigurimit, pasi e kanë arkivuar me korrektësi, kanë telefonuar sërish protagonistët e operacionit dhe, përveç disa detajeve të tjera, kanë kërkuar një skemë grafike për ta qarësuar saktësisht dinamikën e ngjarjes që përfundoi me sukses me asgjësimin e dy shkelësve të rrezikshëm(!). Sakaq, përgjigjja nuk ka vonuar dhe ekspertët e Tiranës vetëm pas disa orëve kanë patur në dorë hartën me veprimet përmbyllëse të operacionit të mbrëmjes së 23 majit të vitit ‘90. Gazeta “Panorama” njëherazi me njoftimin e komandës së kufirit ka mundur të zbulojë skemën treguese me të dhënat e hollësishme për reagimin e njësitit kufitar ndaj dy shkelësve, që ende nuk i kishin mbushur 17 vjeç. Dosja sekrete bashkë me informacionin përkatës, përmban qëndrimin zyrtar ndaj ngjarjes, ku fund e krye nuk rreshtin epitetet bandit e kriminel për viktimat e radhës, që tentuan të kalonin kufirin shtetëror mbrëmjen e 23 majit. Në raportet e autoriteteve lokale tërheq vëmendjen përkujdesja për të nënvizuar rrethanat e vështira të operacionit, ku shkelësit kanë bërë rezistencë disa orë ndaj forcave të kufirit dhe në asnjë rast nuk u janë bindur thirrjes së tyre. “As terreni i thyer, as kushtet e errësirës, nënvizohet në dokumentin sekret, nuk i penguan kufitarët trima të postës së Starjes për të asgjësuar këtë bandë kriminelësh”. Në shpjegimet e mëtejshme sqarohen rrethanat në të cilat shkëlqeu heroizmi dhe shpirti i lartë i sakrificës i kufitarëve trima e vigjilentë (!).
Pavarësisht të vërtetës, rrethanave në të cilat u gjendën dy 17-vjeçarët në vijën e kufirit dhe si u qëlluan mizorisht aty, kjo mbetej gjuha zyrtare dhe mënyra e perceptimit nga shteti dhe organet e tij të diktaturës për ngjarjen e jashtëzakonshme. Gjithsesi, ajo që ndodhi atë mbrëmje nuk kishte si të mbetej vetëm në burgun e shkresave mjerane...
Operacioni nisi pasditen e 23 majit
I mbyllur në orët e vona të mbrëmjes së 23 majit, operacioni për të sfiduar aventurën e 17-vjeçarëve Sokol Lika e Besim Qosja për të kaluar kufirin, mësohet se ka filluar në orët e para të pasdites. Të nisur fshehtazi nga qyteti i Korçës, ata janë futur në zonën e klonit dhe duke përfituar nga arat e mbjella me grurë janë avitur drejt brezit kufitar. Por rrugëtimi i maskuar nuk ka mbetur pa i shpëtuar syrit vigjilent të banorëve të fshatrave përreth, të cilët kanë bërë detyrën si dhe herë të tjera. Ka mjaftuar një telefonatë në Degën e Punëve të Brendshme dhe menjëherë ka nisur reagimi gjurmues. “Njoftimi i parë mbërriti nga një fshatar i Kreshovës, i cili kishte parë dy të panjohur duke ecur fshehtazi në drejtim të brezit kufirit. Menjëherë u dha sinjali i kushtrimit dhe u ndërtua operacioni për kapjen e tyre”. Sakaq në rreshtat e mëtejmë të raportit të postës së Starjes, bëhet e ditur mënyra e organizimit të veprimeve me grupin e vëzhguesve në pikat dominuese dhe dinamika e njësiteve speciale.
Emra kufitarësh, komandantë njësitesh, pjesëtarë të grupeve vullnetare të ruajtjes së kufirit, rreshtohen njëri pas tjetrit në faqet e tij. “Të gjithë pa përjashtim u përfshinë në detyra të veçanta. Me guxim e heroizëm përballuan situatën e krijuar. Gjashtë orë në kërkim, në ndjekje në pyje e boriga, në kodra e rrëpira deri sa u përballën fyt-a-fyt me bandën kriminale. Pastaj...”.
Në aq sa shkruan në vijim raportuesi, gati sa nuk shpreh haptas një lloj euforie që ka bërë gjak e ka qëndisur me plumba trupat e brishtë të dy adoleshentëve. Besnik i traditës së hershme për të tilla raste, me sa duket, ka menduar se i është afruar dekorimit të radhës. Së paku, një vendi më të privilegjuar në strukturat e sigurimit të shtetit, i cili i kishte nga kontingjentet më të preferuara oficerët që shkëlqenin në kufi...
Epilogu: Një i vrarë, një i plagosur
“Më në fund, një e vramë dhe tjetrin e kapëm të gjallë për t’ia dhënë drejtësisë”. Me këtë lloj bilanci mbyllet raporti i postës së kufirit të Starjes për operacionin e mbrëmjes së 23 majit ‘90. E gjitha kjo në përmbyllje të një përshkrimi të gjatë të veprimeve në terren. Mënyra si zbërthehet dinamika dhe vendosen ngjarjet të krijon përshtypjen e një beteje frontale, kur përballja ka qenë vetëm me dy adoleshentë të paarmatosur, të cilët sa kanë dëgjuar thirrjen e parë kanë ngritur duart lart. Sidoqoftë, shkruesit i ka interesuar ta hedhë situatën sipas variantit të vet. “Rreth orës 20:30, në afërsinë 200 metra nga vija e kufirit në malin e Gramozit, njësiti i postës së Starjes ka diktuar dy shkelës dhe fillimisht i ka paralajmëruar për t’u dorëzuar, duke qëlluar dhe në ajër. Përgjigjja nga ana e tyre ka qenë negative. Ata jo vetëm nuk u dorëzuan, por u larguan me shpejtësi për t’u fshehur nëpër shkëmbinjtë dhe blindazhet përreth. Rojet kufitare i ndoqën këmba-këmbës dhe pas kërkesave të përsëritura për t’u dorëzuar ndeshen në qëndresën e tyre. Në përpjekje për të çarë rrethimin mbeti i vrarë shkelësi Sokol Lika nga fshati Goskovë dhe u kap i plagosur Besim Qosja, po nga ky fshat. Pas kësaj shkelësi tjetër Besim Qosja, në panik e sipër u thërret rojeve dhe dorëzohet i plagosur. Në orën 23:00 raportuam komandën eprore se banda e shkelësve u asgjësua...”. Pikërisht me këtë mbyllet njoftimi zyrtar për ngjarjen. Po sa i përgjigjet të vërtetës? Dëshmitarët okularë e kujtojnë në rrethana krejt të tjera atë që ndodhi në Gramoz atë natë maji ‘90...
E vërteta e tjetërsuar
“Askush nuk na thirri, po menjëherë pas urdhrit ‘Ndal’ na mbuluan me breshëri plumbash”. Kështu i kujton i mbijetuari Besim Qosja çastet fatale në përpjekjen me forcat e kufirit. Më tej u kthehet veprimeve barbare pas këtij momenti. Ka provuar egërsinë e tmerrshme të njësitit, që e ka tërhequr zvarrë prej aty deri te posta e kufirit. Në të njëjtën linjë vijon edhe rrëfimi i një dëshmitari tjetër, i cili ka qenë i pranishëm me cilësinë e anëtarit të grupeve vullnetare për ruajtjen e kufirit. “Prapësia nuk mbaronte këtu, dëshmon ai. Qysh të nesërmen nga posta e kufirit u hapën fjalë se të vrarët e Gramozit kishin qenë të armatosur. Bile kishin bërë edhe rezistencë me armë ndaj ushtarëve. Unë i pashë vetë kur ranë. Vetëm një qese me bukë e djathë kishin në shpinë”. Për njeriun që ka ndjekur operacionin në krahë të kufitarëve ka qenë e panevojshme përleshja me ta, pasi me thirrjen e parë janë dorëzuar duke ngritur duart lart...
Gramoz, 70 plumba për të ndaluar arratinë e 17-vjeçarit
Rrëfimi i Besim Qoses, njeriut që ka mundur të mbijetojë gjatë pritës të kufitarëve në Gramoz në verën e vitit ‘90, është tmerrësisht rrëqethës. Ai përshkruan me detaje çastet fatale kur është ndarë përjetë me shokun e tij të ngushtë... “Në fillim u dëgjua një “Ndal!” i kumbueshëm, pastaj disa të tilla rresht “Ndal!”, “Ndal!”. Mbajtëm këmbët. Na u duk sikur na u mbajt fryma. Ashtu siç ishim u hodhëm pas një guri aty pranë. Kthyem shpinën andej nga erdhi zëri urdhërues. Ndodhi ajo që i frigoheshim. Ëndrra për të ikur matanë merrte fund këtu. Vetëm pak hapa larg vijës së kufirit. Për një moment provuam të çoheshim, por ishte e pamundur. Breshëritë e para ia befën sakaq. I pari ra në tokë Sokoli. Unë vrapova për t’u futur në një gëmushë. Dëgjova “Of”-in e tij dhe breshëritë e tjera që ndezën malin. Ndjeva një cimbim të lehtë në këmbën e majtë. Pastaj një kërcitje në gjurin tjetër. Rashë përdhe dhe mbylla sytë për mos të vrojtuar atë që do të ndodhte më tej. Po edhe kështu nuk mund të rrija gjatë. Në errësirën përreth shquhej një dritë e fortë. Pas saj silueta e komandantit të njësitit që ecte në drejtim të trupit të Sokolit me një prozhektor në dorë. Me sa duket e kishte shquar vendin ku ra. Mbajti këmbët aty dhe u përkul paksa mbi trupin e tij. I rrëmbeu egërsisht flokët e gjatë dhe i ktheu fytyrën nga vetja. Pastaj filloi ta godasë me këmbë sa kishte fuqi në sy, në ballë, në faqe, duke shqiptuar urrejtshëm “kriminel”, “spiun”, “zagar”. Si nxori dufin me viktimën, ua bëri me shenjë ushtarëve që kishte në krahë për ta çuar te posta e kufirit. Çfarë ndodhi më tej nuk munda ta ndjek, se mbeta pa ndjenja. Kur u përmenda e pashë veten në dhomat e izolimit të Degës së Brendshme. Aty mora vesh se Sokolin e kishin vrarë. Vetë kisha marrë dy plagë. Hataja kishte ndodhur në pak çaste, kur muzgu i mbrëmjes së 23 majit ’90 i avitej faqeve të Gramozit…”
I plagosuri në kufi, hetuesve: Mëshirë, më falni jetën!
Ka mbetur i plagosur në shpatet e Gramozit, kur shoku tjetër ka vdekur në vend. E ka privilegjuar fati krejt rastësisht, por e keqja nuk është mbyllur sakaq. Besim Qosja që mundi të dalë i gjallë me dy plagë nga prita e kufitarëve në mbrëmjen e 23 majit ‘90, do t’i nënshtrohej një kaluari të tërë vuajtjesh e persekutimesh. I pamundur për të lëvizur nga plagët në këmbë, fillimisht do të mbetej peng në duart e ushtarëve që do ta tërhiqnin zvarrë nga maja e malit te posta e kufirit. Prej aty në birucat e Degës së Punëve të Brendshme të Ersekës, ku për ditë e muaj me radhë do të ballafaqohej me tortura nga më çnjerëzoret në shpjegim të arsyes pse do të arratisej. Ditët përballë gjykatësve do të vulosnin përfundimisht dënimin për veprën penale të kalimit të paligjshëm të kufirit. Gazeta “Panorama” ka mundur të sigurojë procesverbalin e procesit, ku siç shprehet në të djaloshi nga Goskova, duhej të ndëshkohej në këtë rast vetëm për faktin se në mendjen e tij ishte shfaqur mendimi kriminal për t’u arratisur(!)...
DOKUMENTI
I pandehuri Besim Qosja, i biri i Hekuranit dhe Shpresës me datëlindje 1972, lindur në Goskovë, Korçë dhe banues po aty, me origjinë shoqërore kooperativist, me gjendje nxënës, i pamartuar, me arsim 10 klasë, akuzohet për veprën penale të kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror të RPSSH.
Në përfundim të gjykimit të zhvilluar, ku prokurori kërkoi deklarimin fajtor dhe dënimin e tij, i pandehuri Besim Qosja kërkoi mëshirë.
Gjykata pasi shqyrtoi aktet dhe bisedoi në tërësi çështjen,
Vren:
I pandehuri Besim Qose është nga fshati Goskovë i rrethit të Korçës, nxënës në shkollën e mesme gjeologji-miniera Korçë. Të pandehurit së bashku me të quajturin Sokol Lika më datë 23.05.1990 u ka lindur mendimi kriminal për të kaluar kufirin shtetëror e për të vajtur në Greqi. Pasi evidencuan adresat e disa njerëzve farefis jashtë shtetit, u nisën nga fshati i tyre rreth orës 09:00 dhe mbërritën në qytetin e Korçës. Aty blenë disa sende ushqimore, të cilat i paketuan në një çantë polietileni. I pandehuri Besim ka shkuar edhe në shtëpinë e vëllait të tij në Korçë, ku ka marrë një palë pantallona të tijat dhe një palë këpucë. Vëllai i ka thënë që të kthehet në fshat. Mbas kësaj i kanë hypur një makine për në Kolonjë dhe kanë zbritur te rruga që të çon te miniera e qymyrgurit Bezhan.
Rreth orës 13:30 janë nisur për në drejtim të kufirit shtetëror duke ecur nëpër parcelat me grurë dhe duke iu shmangur fshatit Kreshovë.
Rreth orës 20:30, rreth 200 metra afër vijës së kufirit në malin e Gramozit, në postën kufitare të Starjes, ata janë diktuar një njësiti, i cili i ka paralajmëruar për t'u dorëzuar, duke qëlluar dhe në ajër. I pandehuri së bashku me Sokol Likën nuk u dorëzuan që në fillim, por tentuan të fshiheshin nëpër shkëmbinjtë dhe blindazhet. Rojet kufitare i rrethuan dhe duke tentuar të largohej, u vra i quajturi Sokol Lika.
Pas kësaj i pandehuri Besim Qosja, i trembur u thërret rojeve se po dorëzohet, e në këtë mënyrë ai u kap rreth orës 23:00.
I pandehuri si në hetuesi dhe në gjykatë, e pranoi veprën e kryer duke u treguar thellësisht i penduar për këtë akt. Lidhur me motivet e këtij akti ai nxori si shkak një grindje që kishte bërë në datën 22.05.1990 me dëshmitarin Artan Denasi, grindje për të cilën iu tërhoq vëmendja nga Kryetari i Këshillit të fshatit.
Një motiv i tillë jo vetëm që është i dobët, por tregon dhe mbeturinat mikroborgjeze të të pandehurit. Në këtë mënyrë, i pandehuri Besim Qosja ka konsumuar veprën penale të kalimit të paligjshëm të kufijve shtetërorë, e cila u pranua në seancë jo vetëm nga pohimet e tij, por dhe me dëshmitë e dëshmitarëve Blerim Hallidri, Dritan Çollaku, Altin Mbroqi etj.
Në masën e dënimit trupi gjykues ka parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprës, faktin që në kohën që e kreu ishte 18 vjeç e disa ditë i datëlindjes 15.05.1972, pendimin e tij, përbërjen moralo-politike të familjes, e cila është e mirë dhe gjendjen shëndetësore
Vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Besim Qosja për veprën penale të kalimit të paligjshëm të kufijve të mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 127 e 11/2 të Kodit Penal dhe në bazë të tyre dhe të nenit 30 germa "Dh" e dënon me tetë muaj me heqje lirie.
Kundër këtij dënimi mund të bëhet ankim ose protestë 5 ditë duke filluar nga data e ankimit 3 ditë pas shpalljes së vendimit.
Ersekë, më 03.07.90