E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i kokainës, arrestohen dy furnitorët e studentes së mjekësisë

 

TIRANE – Arrestohen furnitorët e studentes së mjekësisë, të prangosur të shtunën me akuzën e trafikimit të 640 gramëve kokainë nga Kapshtica në Greqi. Ilia Naslazi, i njohur me emrin Arben Naslazi 46 vjeç, si dhe Pandush Nazlasi 36 vjeç, i njohur edhe me emrin Fredi, u arrestuan nga specialistët e Antidrogës së Policisë së Shtetit me akuzën e trafikut ndërkombëtar të kokainës. Sipas burimeve të policisë, dy të dyshuarit si organizatorë të trafikut të kokainës janë identifikuar dhe më pas arrestuar nga oficerët e Sektorit të Antidrogës në Policinë e Shtetit, si bashkëpunëtorë në trafikun e ndërkombëtar të kokainës, që kalonte nga Shqipëria me destinacion Greqinë. Të dyshuarit u ndaluan mbrëmjen e të dielës, ndërsa një ditë më parë, policia kishte ndaluar studenten e mjekësisë Aurora Liço, teksa po tentonte kalimin në pikën kufitare të Kapshticës. Nga hetimi i kryer pas kapjes së studentes së vitit të dytë, policia ka zbuluar se edhe më parë, të arrestuarit kanë trafikuar sasi të tjera kokaine nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Të akuzuarit kanë më tepër se dy muaj që mbahen në përgjim ndërsa studentja e mjekësisë përdorej nga të dyshuarit pikërisht për të realizuar kalimin e kufirit me kokainën e fshehur. Hetuesit pohojnë se organizatorët e kësaj linje kanë përdorur edhe persona të tjerë, një prej të cilëve është prangosur disa kohë më parë nga policia. Dëshmitë e marra prej këtij personi kanë sjellë edhe zbulimin e linjës së trafikut ku bënte pjesë studentja e mjekësisë. Kjo e fundit gjatë marrjes së saj në pyetje ka pranuar të rrëfente nga e kishte marrë kokainën. Një gjë e tillë ishte konfirmuar për hetuesit gjatë këqyrjes së telefonit të studentes. Pas arrestimit të saj, agjentët e antidrogës kanë vënë në pranga edhe dy personat e tjerë, Pandush dhe Ilia Naslazi, emrat e të cilëve u gjetën në celularin e studentes nga Korça. Sipas hetuesve, Turqia është vendi nga ku kokaina ka mbërritur në Shqipëri. Gjatë marrjes në pyetje të personave të arrestuar, dy të pandehurit Naslazi, nuk kanë pranuar të japin shpjegime, por kanë kërkuar praninë e një avokati gjatë veprimeve hetimore ndaj tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›