E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet kisha, vidhen paratë e besimtarëve

23/01/2009  U konstatua nga prifti

ELBASAN- Kisha e Shën Thanasit në lagjen “Haxhias” të Elbasanit është vjedhur duke u gdhirë e enjtja, ndërsa është konstatuar e vjedhur në mëngjes nga prifti i kishës At Trebicka. Ky i fundit ka parë derën e hapur me forcë dhe më pas ka konstatuar se arka e parave të grumbulluara nga dhuratat e besimtarëve ishte boshatisur. Sipas tij, aty ishin 79 mijë e 300 lekë të reja. Menjëherë një grup i ekspertizës ka mbërritur në vendngjarje. Sipas të dhënave të para, kisha është sulmuar nga dera kryesore, e cila është hapur me mjete të forta. Ndërkohë efektivët blu kanë shoqëruar persona dhe kanë grumbulluar prova daktilografike për gjetjen e autorëve të kësaj vjedhjeje. Kisha e Shën Thanasit është një ndër kishat më të mëdha ortodokse në Elbasan me një numër të konsiderueshëm besimtarësh. Dyshohet se autorët mund të kenë qenë një grup adoleshentësh që e dinin se në arkë mund të kishte para. Kjo kishë është sulmuar shpesh nga vjedhësit. Objektet e kultit prej disa muajsh janë vënë në shënjestër të vjedhësve. Vetëm në dhjetor të vitit të kaluar u sulmuan nga vjedhësit dy xhami dhe një organizatë joqeveritare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›