E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet magazina, gjendet i vdekur pronari 73-vjeçar



KORÇË – U gjet i masakruar mëngjesin e djeshëm pronari i një magazine materialesh ndërtimi. Policia njofton se viktima është 73-vjeçari Nexhat Gega, i cili është gjetur i vdekur pas goditjes me sende të forta në kokë. Sipas të dhënave paraprake dyshohet se Gega mund të jetë sulmuar ka persona që kanë tentuar të vjedhin magazinën, pasi sipas dëshmive të mbledhura, viktima flinte në ambientet e saj për të ruajtur mallin.

Ngjarja
Kanë qenë orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme kur në zyrat e Policisë së qytetit juglindor ka ardhur një njoftim për gjetjen e një kufome në fshatin Pojan të këtij rrethi. Ka qenë pikërisht djali i 73-vjeçarit ai që ka gjetur trupin e pajetë të të atit.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, forca të shumta policie kanë shkuar në vendngjarje ku kanë nisur hetimet e para. Sipas burimeve nga Policia e këtij qytetit mësohet se Nexhat Gega, 73 vjeç, është vrarë me mjete të forta pasi është qëlluar në pjesën e kokës. Autorët kanë hyrë nga një dritare në magazinën ku viktima flinte natën për të ruajtur mallrat. Ngjarja mendohet se ka ndodhur në orët e natës, pasi autorët, sipas policisë, dyshohet se kanë hyrë në magazinë për të vjedhur, por janë përballur me 73-vjeçarin.

Hetimet
Menjëherë pas mbërritjes në vendngjarje uniformat blu kanë nisur hetimit për zbardhjen e rrethanave dhe të autorëve të kësaj ngjarjeje. Sipas të dhënave paraprake të siguruara deri tani rezulton se personat që kanë kryer krimin kanë tentuar të hyjnë në ambientet e magazinës për të grabitur, por atje kanë gjetur 73-vjeçarin, i cili flinte aty për të ruajtur mallin që ndodheshin në magazinë. Pas kësaj dyshohet se autorët janë konfrontuar me viktimën duke e goditur atë me sende të forta në kokë që solli dhe vdekjen e tij.
Policia e këtij qyteti si dhe grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje të rëndë, kanë nisur të mbledhin dëshmitë e personave të ndryshëm, të cilat mund të kenë dijeni për ngjarjen. Gjithashtu, në pyetje është marrë dhe djali i viktimës, i cili ishte personi i parë që gjeti trupin e pajetë të të atit. Në ambientet e policisë janë shoqëruar dhe disa persona, të cilët janë lënë të lirë pas marrjes së dëshmive të tyre.

Dy operacione policore, bllokohen armë dhe drogë, pesë veta në pranga

BERAT – Dy shpërndarës droge bien në pranga, bashkë me ta dhe tre persona të tjerë, të cilëve iu gjetën disa armë në makinë. Sipas policisë së këtij qyteti, dy të arrestuarit janë Ergys Etemi dhe Fatmir Majko. Mësohet se gjatë arrestimit ata u kapën në flagrancë me 6 qese transparente të mbushura me lëndë narkotike të llojit Cannabis sativa, e bërë gati për t’u shpërndarë në gjimnaze.
Ndërkaq, gjatë kontrolleve në hyrje dhe dalje të qytetit tre persona janë arrestuar me akuzën e armëmbajtjes pa leje. Sipas policisë, Gentian Kondi, Ilirjan Dyli dhe 17-vjeçari me iniciale G. M. u kapën në flagrancë teksa mbanin në automjetet e tyre përkatëse armë. Bëhet e ditur gjithashtu se armët e sekuestruara janë një pistoletë e markës “HS” me 12 fishekë, një pistoletë e tipit “TT”, një automatik kallashnikov model 56 dhe dy arka me fishekë luftarakë.

26 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›