E Diel, 1 Nëntor 2026

Shantazh doganierit, dy veta në pranga, një në kërkim



GJIROKASTËR – Shantazh doganieri me një filmim komprometues, në pranga dy persona dhe një i tretë shpallet në kërkim. Policia e Gjirokastrës njofton se ka vënë në pranga Bashkim Dushin dhe Julian Gjinajn, si dhe shpalli në kërkim shtetasin E. D. Sipas policisë së këtij qyteti mësohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet presionit, i kanë kërkuar një shtetasi me detyrë doganier në Pikën Doganore Kakavijë që të paguajë një shumë prej 1500 eurosh kundrejt mospublikimit të një materiali filmik komprometues që pretendonin se ia kishte bërë këtij doganieri një shtetas me inicialet E. D. Të arrestuarit Julian Gjini i është sekuestruar edhe shuma prej 1500 eurosh, të cilat ia kishte marrë doganierit në Kakavijë.
Pas shpalljes në kërkim të shtetasit E. D., sipas deklarimeve të familjarëve të tij, rezulton se ky shtetas është gazetar në emisionin “Fiks fare”. Ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të “korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike” në bashkëpunim.

Makina përfundon në Lanë, nuk ka viktima

TIRANË – Humbja e kontrollit hedh në Lanë një makinë. Policia e kryeqytetit bën të ditur se një automjet i markës “Peugeot” pësoi aksident në kryqëzimin e 21 Dhjetorit, te shkolla “Vasil Shanto” në Tiranë, si pasojë e lëvizjes me shpejtësi tej normave të lejuara. Në orët e vona të mbrëmjes të së martës, automjeti ka dalë nga rruga, ka kapërcyer edhe trotuarin dhe më pas ka përfunduar në lumin e Lanës. Policia tha se aksidenti nuk shkaktoi viktima, ndërsa sipas hetimeve, ka rezultuar se makina që pësoi aksident po lëvizte nga 21 Dhjetori drejt shkollës 9-vjeçare në kohën kur humbi drejtimin e automjetit. Sipas hetuesve, në momentin e aksidentit në makinë ndodhej drejtuesi i saj, 21 vjeç, me disa bashkëmoshatarë të tij, të cilët nuk pësuan dëmtime.

Basha në Gjirokastër: “Do të godasim trafikun e drogës”

GJIROKASTËR – Luftë trafikut dhe kultivimit të drogës. Kjo ka qenë kryefjala e takimit të djeshëm të ministrit të Brendshëm Lulzim Basha me drejtuesit e institucioneve qendrore dhe vendore të Gjirokastrës në lidhje me luftën kundër drogës. Gjatë fjalës së tij Basha theksoi se vendi ndodhet në fazën kyçe të integrimit në Bashkimin Europian dhe ka kërkuar funksionimin e të gjitha institucioneve për të luftuar fenomenet negative që mund të penalizojnë këtë proces.
Në takimin e zhvilluar në Gjirokastër ka qenë i pranishëm dhe kryetari i komunës së Lazaratit, Dashnor Aliko, i cili ka kërkuar ndërhyrjen e shtetit për të luftuar fenomenin e trafikut të lëndëve narkotike.
Lazarati është një prej zonave më problematike në lidhje me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike dhe për këtë gjë janë marrë një sërë masash, por pa rezultat. Nga ana e policisë është vendosur dhe bllokimi i kamionëve me pleh që i drejtohen këtij fshati, si të vetmen mënyrë për të parandaluar kultivimin e lëndëve narkotike. Në takim kanë folur dhe drejtuesi i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i cili ka deklaruar se trafikimi i narkotikeve pengon heqjen e vizave.

Tenton të vjedhë banesën, pranga të riut

FIER – Pranga të riut, tentoi të vidhte një banesë, por zbulohet nga policia. Bëhet fjalë për 26-vjeçarin Kreshnik Ceka, i cili është arrestuar në flagrancë nga policia e qytetit të Fierit. Sipas burimeve të policisë mësohet se dy net më parë, rreth orës 20:30, në vendin e quajtur “Qafa e Koshovisës” në Peshtan, ai po tentonte të vidhte shtëpinë në pronësi të një personi me inicialet V. F., por është pikasur nga policia, e cila më pas ka bërë dhe arrestimin e tij. Materialet hetimore për veprën penale të “vjedhje e mbetur në tentative” i kaluan Prokurorisë së Fierit për hetime të mëtejshme.

26 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›