Sigurimi Shëndetësor, çfarë përfitohet, kush janë përfituesit e skemës
Aktiviteti i Sigurimit Shëndetësor zhvillohet i mbështetur në legjislacionin e ngritur mbi parimet e solidaritetit, barazisë dhe mbrojtjes së grupimeve më të rrezikuara të popullsisë. Me sigurimet shëndetësore, të krijuara për herë të parë në Shqipëri në vitin 1994, po ecet në një rrugë tashmë të njohur të eksperiencës botërore. Sigurimi Shëndetësor u ngrit në Shqipëri me ligjin nr. 7870, dt. 13.10.1994, “Për Sigurimet Shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”.Ky ligj është pasuruar ndër vite, për të arritur në vitin 2007 me përfshirjen e të gjithë shërbimit parësor në skemën e sigurimeve shëndetësore, e për të kulmuar në fillim të vitit të ardhshëm me përfshirjen edhe të shërbimit spitalor në skemën e sigurimeve.
Kush përfiton nga sigurimi shëndetësor?
Të gjithë personat ekonomikisht aktivë, ku hyjnë:
1. Të gjithë të punësuarit në sistemin shtetëror ose privat, që janë të siguruar
2. Të vetëpunësuarit në qytet ose në fshat, që vetësigurohen.
Shteti kontribuon për personat joaktivë si:
a) fëmijët, nxënësit dhe studentët me shkëputje nga puna;
b) pensionistët
c) të paaftët (mendorë dhe fizikë);
d) të papunët;
e) personat që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe asistencë sociale
ë) nënat me leje lindjeje;
f) shtetasit që kryejnë shërbimin ushtarak të detyruar.
* Këshilli i Ministrave ka të drejtë të specifikojë grupe të tjera shtetasish, për të cilët duhet të kontribuojë shteti.
Çfarë përfitoni ?
Nëpërmjet Sigurimit Shëndetësor përfitoni:
1. Shërbimin shëndetësor falas te mjeku i përgjithshëm dhe i familjes.
2. Shërbimin shëndetësor falas te mjeku specialist.
3. Shërbimin shëndetësor falas në shtëpi, poliklinikë dhe spital.
4. Ekzaminimet laboratorike dhe radiologjike falas.
5. Ekzaminimet unikale terciare me rimbursim në masën 90% dhe bashkëpagesë nga personat e siguruar 10%.
6. Barnat e listës së rimbursuar falas, për fëmijë 0-12 muajsh, invalidët e plotë, pensionistët, të verbrit dhe jetimët
7. Të gjitha barnat falas për veteranët me sëmundje kronike dhe invalidët e luftës.
8. Barnat falas për të sëmuret me tumore, transplant të veshkës, skleroze multiple, talasemia major.
9. Barna me rimbursim të pjesshëm për të gjitha kategoritë e tjera të popullsisë, në përqindje të ndryshme, por jo më pak se 50%, barnat e listës, kundrejt recetës me rimbursim, të lëshuar nga mjeku i përgjithshëm në të gjitha farmacitë që kanë kontratë me ISKSH-në. Lista e barnave, e cila përmban dhe çmimin e pacientit, disponohet nga të gjitha farmacitë dhe vihet në dispozicion tëçdo personi të interesuar.
Kur përfitoni?
Përfitoni kur jeni të pajisur me Librezën e Shëndetit, me të cilën pajiset çdo i siguruar pranë Drejtorive Rajonale të Sigurimit Shëndetësor. Sigurimi Shëndetësor ju jep të drejtën të zgjidhni mjekun e përgjithshëm dhe të familjes që dëshironi. Ai do të jetë mjeku juaj personal, të cilin ju mund ta ndryshoni 1 herë në vit.