Vëllai i Arben Lazes merr përsipër drogën
Fatjon Laze ngre alibi për të vëllanë. Prokuroria: Presidenti i Elbasanit e Arben Prifti janë krerët e trafikut të heroinës
TIRANË- Vëllai i presidentit të Elbasanit, Arben Lazes, ka marrë përsipër gjithçka në lidhje me drogën e kapur pak ditë më parë. Fatjon Laze ka pohuar në gjykatë se ai ishte njeriu që kishte bërë trafikun e drogës dhe se i vëllai nuk kishte asnjë lidhje. Ndërsa dy kushërinjtë Arben Prifti e Shkëlqim Hyzmo kanë kërkuar lirimin e tyre me masën e sigurisë arrest shtëpie kundrejt garancisë pasurore. Por asnjë nga kërkesat e të arrestuarve nuk është pranuar dhe gjykata i ka lënë të katër nën masën e sigurisë arrest me burg pa afat.
Laze
Gjatë shqyrtimit të kësaj kërkese, të katër të arrestuarit dolën para togave të zeza duke dhënë pretendimet e alibinë e tyre në lidhje me dyshimet për trafikimin e një kg heroinë. I pari që doli para Gjykatës së Krimeve të Rënda për vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë ka qenë shtetasi Fatjon Laze, vëllai i presidentit të ekipit të Elbasanit Arben Laze. Gjatë fjalës së tij para gjyqtarit Hasneziri, 30- vjeçari Laze pranoi se droga ishte e tij dhe ia kishte dorëzuar kundrejt një shume të caktuar shtetasit Shkëlqim Hyzmo. Ai shtoi se vëllai i tij nuk ka të bëjë me këtë histori. “Droga është e imja. Atë e kam blerë unë dhe ia kam dorëzuar Shkëlqim Hyzmos. Pasi, ia kam blerë disa kohë më parë një makinë këtyre dhe nuk i kam shlyer paratë, i kam pasur 6 mijë euro borxh dhe për këtë mendova t’i jepja drogën. Vëllai im nuk ka lidhje në këtë histori dhe as këtë Arben Priftin nuk e njoh”- mësohet të këtë thënë Fatjon Laze në fjalën e tij, duke kërkuar masë sigurie 15- ditore kohë kjo që mjafton për ekspertimin e drogës së sekuestruar. Por prokuroria ka hedhur poshtë alibinë e ngritur nga Fatjon Laze, duke u shprehur se “nga hetimi tremujor na rezulton se dy organizatorët e këtij trafiku janë shtetasit Arben Laze dhe Arben Prifti”. Më pas gjyqtari ka shqyrtuar kërkesën e presidentit të ekipit të Elbasanit Laze, i cili ka pretenduar se nuk ka dijeni për çfarë akuzohet. “Nuk kam lidhje unë me këtë drogë që më akuzon prokuroria. Nuk e di me çfarë është marrë vëllai im, por unë nuk kam lidhje në këtë mes”,-është shprehur presidenti Laze duke kërkuar me ndihmën e avokatit edhe ky caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” me afat 15- ditor për ekspertimin e drogës.
Prifti
Seanca më pas ka vazhduar me dëgjimin e pretendimeve të dy kushërinjve Arben Prifti e Shkëlqim Hyzmo, ku ky i fundit gjatë fjalës së tij ka pranuar dhe pretenduar të njëjtin version që ka shprehur para gjykatës Fatjon Laze dhe ka pranuar se drogën e kishte porositur ai. Ndërsa vetë Prifti ka mohuar akuzat duke u shprehur se “të gjitha akuzat janë trillime, pasi unë nuk kam lidhje me këtë drogë”. Më pas fjalën e ka marrë avokati mbrojtës i të dy kushërinjve, i cili ka kërkuar nga gjykata që ndaj dy të arrestuarve Hyzmo dhe Prifti të caktojë masën e sigurisë “arrest shtëpie” kundrejt garancisë pasurore, duke mos përcaktuar shumën të cilën e la në vlerësim të gjykatës. Pas pretendimeve të palës mbrojtëse, ishin prokurorët të cilët shprehën pretendimet e tyre, duke kërkuar nga gjykata caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për katër të arrestuarit, pasi sipas akuzës, ndaj tyre ka prova të pakontestueshme dhe ligjore që i implikojnë në organizimin e trafikut të drogës nga Maqedonia drejt Shqipërisë dhe më pas dy fierakët drejt Greqisë. Gjyqtari Hasneziri pasi dëgjoi palët u tërhoq për vendim, ku pas 45 minuta këshillim me ligjet në fuqi, vendosi që të katër të arrestuarit të qëndrojnë në qeli me masën e sigurisë “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve.