Rebelohen importuesit, qeveria theu konkurrencën
Importuesit e konsiderojnë këtë si shkelje, duke u ankuar tek Autoriteti i Konkurrencës.
Në këtë betejë mes dy palëve, qytetarët vazhdojnë të paguajnë çmime të larta për karburantin që konsumojnë
Qeveria ndalon importin e naftës D2, duke ia kaluar me vendim të posaçëm tregtimin e saj vetëm ARMO-s
Në një betejë mes operatorëve të importit të karburanteve dhe institucioneve shtetërore, i vetmi i humbur është konsumatori. Autoriteti i Konkurrencës zhvilloi dje një seancë dëgjimore me importuesit e karburanteve, për t’u njohur me pretendimet e tyre mbi situatën e krijuar në treg pas publikimit të një raporti, ku cilësonte se në tregun e karburanteve ka kufizime konkurrence. Por, përfaqësuesit e kompanive që morën pjesë dje në seancë, nga “të akuzuar” u shndërruan në akuzues, duke deklaruar se qeveria, me vendimet që merr, është shkaktare e deformimit të konkurrencës. Një përfaqësues i një kompanie importuese të naftës, deklaroi për “Shekulli”-n në kushtet e anonimatit se qeveria, me vendimet e marra po favorizon kompaninë shqiptare “Armo”, e cila është privatizuar kohët e fundit. Autoriteti, në raportin e publikuar javën e kaluar, deklaroi se në tregun e tregtimit të karburanteve ka kufizim të konkurrencës. Sipas autoritetit, kjo vjen si pasojë e bashkëpunimit të kompanive me njëra-tjetrën. Për këtë arsye drejtuesit e tij kanë thirrur operatorët e tregut në një seancë dëgjimore. Në seancë morën pjesë vetëm dy përfaqësues kompanish, ndërkohë që është lajmëruar edhe një seancë tjetër, për shkak se disa kompani kërkuan shtyrjen e saj.Raporti i Konkurrencës dilte në përfundimin se kufizimi i konkurrencës vinte si pasojë e sjelljes së koordinuar mes ndërmarrjeve kryesore, që kanë fuqi të ndjeshme në tregun e shumicës dhe ndërmarrjeve të integruara vertikalisht në tregun e shitjes me pakicë.
Pretendimet
Përfaqësuesi i njërës prej kompanive të tregtimit të karburanteve tha se, “në seancë paraqitëm pretendimet tona, duke deklaruar se në treg nuk ka bashkëpunim për të kontrolluar çmimet dhe nuk ka mungesë konkurrence mes importuesve”. “Shqetësimi ynë është vendimi i qeverisë për të përjashtuar importin e naftës D2, duke i hapur rrugën ARMO-s të tregtojë pa konkurrent këtë produkt”, - tha ai. Sipas tij, ky është vendim, i cili kufizon konkurrencën dhe se operatorët kërkojnë barazi në treg. Qeveria ka miratuar një vendim, i cili ndalon pas 1 janarit të vitit 2009 importimin dhe tregtimin e naftës së cilësisë D2, e cila zë 75% të tregut. Ndërsa me një vendim tjetër ajo lejon kompaninë vendase ARMO të prodhojë dhe tregtojë këtë produkt, duke i vënë kushte që, pas vitit 2010, të ulë gradualisht nivelin e squfurit në naftë. Ky vendim është konsideruar si i padrejtë dhe antikonkurrencë nga përfaqësuesit e kompanive të importit dhe tregtimit të naftës. Ata ua kanë shprehur këtë shqetësim edhe drejtuesve të Autoritetit të Konkurrencës, e cila në bazë të ligjit, pas sinjalizimeve, ka të drejtën të nisë hetimin.
Nafta e cilësisë D2 zë peshën më të madhe në tregun shqiptar, ku rreth 300 mijë importohet nga kompanitë dhe 100 mijë hidhen në treg nga kompania prodhuese ARMO. “Kompanitë që deri më sot kanë operuar në tregun ndërkombëtar të importit të naftës, nëpërmjet dy vendimeve të Këshillit të Ministrave, u hiqet 75 % e tregut të brendshëm, duke ia kaluar direkt këtë treg kompanisë ARMO”, - thanë të njëjtat burime. Përfaqësuesit e kompanive importuese i kanë dërguar një letër ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, një letër ku i kërkojnë mënyrën që do të ndiqet për të siguruar një konkurrencë të ndershme në treg pas këtyre dy vendimeve.