E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëmbejnë të miturën, që ta martojnë me nipin

Policia liron vajzën 11 vjeçe që ishte marrë “peng” me qëllim që të shtrëngohej të martohej me një 15-vjeçar, ndalohet dhe ndiqet penalisht një çift

Korçë- Kanë rrëmbyer një 11-vjeçare dhe më pas kanë tentuar ta martojnë forcërisht me një 15-vjeçar, policia kërkon ndjekje penale për një çift bashkëshortësh. Burime nga kjo e fundit thanë se një familje rome nga Bilishti ka denoncuar rrëmbimin e vajzës së tyre dhe menjëherë pas kësaj ka filluar kërkimi i fëmijës.

Dëshmitë duket kanë çuar policinë te çifti Dritan dhe Entela Ajdini, 25 dhe 23 vjeç, të cilët dyshoheshin nga të afërmit për rrëmbimin. Pas hetimeve blutë e qytetit juglindor kanë rënë në gjurmët e së miturës që gjendej në fshatin Rrëmbec të rrethit të Korçës, nga i cili janë protagonistët çifti Ajredini, por dhe nipi i tyre 15-vjeçar. Policia ka shkuar menjëherë në zonën ku mendohej të ishte fëmija dhe kanë ndërhyrë duke bërë të mundur lirimin e së miturës. Vajza e rrëmbyer është lënë e lirë pas ndërhyrjes së policisë, ndërkohë që çifti Ajredini është ndaluar fillimisht nga policia dhe pasi janë marrë në pyetje, janë rikthyer në shtëpinë e tyre. Sipas bluve, ata do të përballen me drejtësinë.

Ndërkohë, ajo që e ka bërë edhe më dramatike ngjarjen është zbardhja e detajeve dhe arsyeve të rrëmbimit. Sipas policisë, çifti i bashkëshortëve kanë tentuar ta martojnë me dhunë pasi e kanë rrëmbyer vajzë 11-vjeçare. Policia tha se po ndjek penalisht në gjendje të lirë të dy personat, Dritan Ajredini 25 vjeç, dhe gruan e tij, Entela Ajredini 23 vjeçe, pasi kanë rrëmbyer një 11-vjeçare me qëllim që ta martonin me nipin e tyre 15 vjeç, G. A. Sipas policisë lokale mbi këta persona rëndon akuza për “heqjen e paligjshme të lirisë”, pasi ata e kanë rrëmbyer të miturën E.T. nga Bilishti kundër vullnetit të saj. Ndërkohë nuk dihet ende se si do të kryhej martesa, pasi ajo do të ishte e paligjshme, por duket që çifti që ka kryer rrëmbimin ka pasur në mendje vetëm zakonet rome.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›