E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet me armë e maska supermarketi në Laprakë

Dy grabitësit e maskuar kanë mundur të marrin nga arka 250 mijë lekë të rinj. Dyshohet se janë të njëjtët që grabitën një kazino në Laprakë, pak ditë më parë

Tiranë Dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë sulmuar një supermarket në Laprakë, duke u larguar prej andej me 250 mijë lekë të reja. Krimi në fjalë raportohet të ketë ndodhur në zonën e ish-Markatës në Laprakë, ku gjatë orëve të pasdites, dy persona të armatosur dhe të maskuar kanë hyrë në ambientet e brendshme të supermarketit dhe pasi kanë kërcënuar me armë punonjësit dhe klientët që ndodheshin aty, kanë arritur të marrin nga arka një sasi të konsiderueshme lekësh, e cila më pas u përllogaritën si 250 mijë lekë të reja. Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta policie kanë mbërritur në supermarketin e grabitur, duke nisur punën për identifikimin e autorëve të grabitjes. Pas dëshmive të mbledhura nga punonjësit dhe klientët e supermarketit, efektivët e policisë kanë sekuestruar kamerat e sigurisë, me shpresën e gjetjes së të dhënave që mund të çojnë në identifikimin e autorëve. Por sipas dëshmive mësohet se ata kanë qenë të maskuar, çka e bën më të vështirë identifikimin e tyre. Sipas të dhënave paraprake dyshohet se grabitësit e supermarketit janë të njëjtët që kanë grabitur dhe pak kohë më parë një kazino, po në zonën e Laprakës. Skema e grabitjes dhe përshkrimi fizik i tyre nga dëshmitarë të shumtë tregojnë gjurmë të së njëjtëve persona në të dyja grabitjes. Por hetimet e deritanishme nuk kanë mundur të zbulojnë ende identitetet e grabitësve, që po kthehen në tmerrin e bizneseve në Laprakë. Punonjësit e policisë kanë marrë në pyetje personat e pranishëm në vendngjarje si dhe kanë intensifikuar kontrollet në zonë, për të mbërritur në gjurmët e autorëve të grabitjes së armatosur. Th.Samarxhiu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›