Zjarri shpërthen municionin, rrezikohet jeta e banorëve
Librazhd Një zjarr i shpërthyer dje në fshatin Togëz të Librazhdit ka rrezikuar jetën e banorëve të fshatit aty pranë dhe të repartit të zjarrfikësve, pasi në një nga gëmushat ka qenë e fshehur një arkë me municion. Pasojat mund të ishin të paparashikuara, pasi zjarri u është afruar ndjeshëm depove të dikurshme të municionit në këtë vend ku dyshohet se ndodhet mjaft municion i hedhur në zonën përreth. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar zjarrfikësit, policia dhe policia pyjore. Zjarri ka djegur sipërfaqe të konsiderueshme me pyje, por rreziku më i madh kanë qenë municionet ndaj edhe zjarrfikëset janë pozicionuar në anën e depove ku nuk kanë lejuar përparimin e flakëve. Megjithatë, ka patur shpërthime të fishekëve dhe eksplozivit. Në një nga gëmushat është gjendur një arkë e mbushur me fishekë, e cila ka shpërthyer nga nxehtësia. Policia dhe zjarrfikësit nuk kanë lejuar afrimin e banorëve të zonës, e madje i kanë larguar ata nga vatra. Pas shumë përpjekjesh, zjarri është izoluar duke mos shkaktuar të plagosur. F.S.