Grabitet me armë kazinoja, arrestohet një prej autorëve

Kazinoja ku ndodhi ngjarja
TIRANE Persona të maskuar dhe të armatosur grabitën pasditen e djeshme një kazino pranë 21 Dhjetorit në Tiranë. Autorët e krimit janë dy persona të armatosur, njëri prej të cilëve sipas Policisë është arrestuar, kurse tjetri ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes bashkë me paratë dhe pistoletën. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:00, në kryqëzimin mes rrugës Myslym Shyri dhe Muhamet Gjollesha, në Tiranë. Burime nga Policia thanë se menjëherë sapo janë sinjalizuar për ngjarjen nga punonjësit e lokalit të lojërave të fatit, kanë mundur të arrestojnë njërin prej autorëve. I dyshuari që është vënë në pranga, është Roland Guxhova, 29 vjeç. Ndërsa bashkëpunëtori i tij, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes, ka mundur të marrë me vete edhe paratë e vjedhura, një shumë prej 4500 lekësh të rinj, si dhe pistoletën që është përdorur për grabitjen. Menjëherë pas ngjarjes, forcat e policisë së Komisariatit Nr.2 dhe të seksionit të Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë kanë kryer veprimet e para hetimore në kazinonë e grabitur, duke marrë në pyetje edhe stafin e punonjësve dhe disa klientë, që ndodheshin duke luajtur në momentin e ngjarjes. Nga deklarimet e punonjësve të kazinosë mësohet se edhe dy autorët e grabitjes ishin futur si klientë, me pretekstin se do të luanin, por në një moment njëri nga ata kishte nxjerrë armën dhe duke kërcënuar ka kërkuar paratë. Por duke qenë se alarmi i sigurisë është aktivizuar menjëherë, autorët nga frika e policisë kanë nxituar të dalin nga lokali, duke arritur të vjedhin vetëm 4500 lekë që kanë gjetur në një tavolinë dhe janë larguar. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së kazinosë, nëpërmjet të cilave do rindërtohet skema e ngjarjes, si dhe mund të identifikohet autori, pasi personi i arrestuar nuk ka pranuar të ketë kryer grabitjen e njëkohësisht pretendon se nuk e njeh personin që ka vjedhur.
Kazinoja 2
Para grabitjes së kazinosë tek rruga Myslym Shyri, Policia e Tiranës kishte nisur një tjetër procedim penal, pa autor, për një tjetër vjedhje me armë të një lokali lojërash fati, e ndodhur në mesnatë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:15, në rrugën Ramazan Demneri, në Tiranën e Re. Një person i maskuar dhe me pistoletë ishte futur në ambientet e brendshme të lokalit të lojërave të fatit dhe, duke kërcënuar punonjësin Alban Z., ka arritur të vjedhë rreth 31 mijë lekë të rinj.