Grabitet me armë në mes të ditës pika e transfertave të parave
Grabitje spektakolare me maska në mes të ditës, në qytetin e Korçës. Një pikë transfertash valutore është grabitur nga dy persona të armatosur dhe të maskuar, që kanë lënë të plagosur punonjësin Thimaq Lapi. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30 në qendër të qytetit, kur dy persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve kanë arritur të grabisin një shumë prej 8000 eurosh, ndërsa kanë qëlluar mbi arkëtarin me pistoletë, duke e lënë atë të plagosur. Sipas dëshmisë që ka dhënë për policinë punonjësi i agjencisë, dy persona me maska dhe të armatosur kanë hyrë me shpejtësi dhe kanë qëlluar me armë me silenciator mbi punonjësin që ndodhej në atë moment në sportel, duke pritur klientët si zakonisht. Më pas, grabitësit kanë marrë të gjithë shumën që ndodhej në arkë. Sipas policisë, njëri prej grabitësve ka kryer të gjitha veprimet, ndërsa tjetri ka qëndruar për të ruajtur pikën nga lëvizjet e mundshme të njerëzve dhe prezenca e klientëve dhe dëshmitarëve të rastit. Pasi kanë lënë të plagosur arkëtarin 34-vjeçar, dy autorët janë larguar me shpejtësi me një mjet pa targa, që i priste i parkuar përballë derës së agjencisë. Punonjësi Thimaq Lapi, i cili ka mbetur i plagosur me armë është transportuar drejt spitalit me një plagë në pjesën e krahut. Policia po heton këtë ngjarje të rëndë dhe është vënë në lëvizje për identifikimin dhe kapjen e autorëve që janë larguar me një mjet nga vendi i ngjarjes. Kjo nuk është hera e parë që grabitjet me maska dhe armë kanë vënë në lëvizje Policinë e Korçës. Burimet e policisë thanë se grabitjet spektakolare me armë dhe maska kanë çuar në prangosjen e 10 personave, por fatkeqësisht nuk kanë mbetur pa të lënduar dhe të plagosur. Një pikë ilegale e lojërave të fatit u grabit nga maskat e armatosura në muajin janar, ku mbetën të plagosur nga përdorimi i armëve tre klientë dhe u vodh një shumë prej 30 mijë eurosh. Për këtë ngjarje, policia arriti të dokumentojë dhe të zbulojë vetëm pak ditë pas sulmit në pikën e lojërave të fatit autorët, duke vënë në pranga tre persona, ndërsa një tjetër u kap një muaj më parë, pasi ishte shpallur në kërkim. Policia thotë se brenda një viti ka dokumentuar dhe zbuluar gjithsej katër raste të grabitjeve me armë dhe maska dhe gjashtë të tjera të ndodhura në pikat e karburanteve ku u vunë në pranga katër autorë.
J.Dhimitri
J.Dhimitri