E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhet në ditën e festës kisha e Shën Anës

Një tjetër kishë është vjedhur me thyerje dhe dhunuar gjatë natës në qytetin e Korçës. Kisha Shën Ana është vjedhur në ditën e festës së shenjtores, ndërsa mesha për ditën e shenjtë është anuluar për shkak se objekti i kultit ortodoks është gjetur i shkatërruar. Kisha e Shën Anës është sulmuar për të parën herë që nga ndërtimi i saj, por më tepër se sa vjedhja e parave të grumbulluara ka qenë dhunimi i objekteve të brendshme që ka çuar në reagimin nga ana e Mitropolisë për këtë rast, që konsiderohet i rëndë. Ndryshe nga objektet e tjera të kultit, që janë vjedhur në qytetin e Korçës, autorët sipas klerit ortodoks kanë cenuar edhe vetë komunitetin e besimtarëve, pasi kanë grisur librat fetarë dhe Ungjillin e Shenjtë. Shkatërrimet në brendësi të kishës dhe hapja me forcë e kasafortave është sinjalizuar për policinë dje, në orën 07:00. Sipas policisë, autorët kanë depërtuar pasi kanë thyer një dritare në pjesën e pasme të kishës, dhe pasi kanë marrë paratë nga dy kasaforta, kanë grisur Ungjillin dhe kanë dëmtuar enët që përdoren për liturgji dhe meshë. Objektet e dëmtuara janë gjetur të hedhura në tokë.
"Është e disata herë që dhunohen dhe sulmohen objektet e kultit. Kemi kërkuar ndërhyrjen e policisë dhe gjetjen e autorëve pasi këto janë raste të përsëritura dhe të rënda që cenojnë edhe harmoninë fetare", ka thënë prifti i kësaj kishe, Mihail Lara.

Ju.Dh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›