E Diel, 1 Nëntor 2026

Përralla e Hilary Swank

Ajo është rritur në një kamp për rulotë në Uashington dhe ka qenë një vajzë me shumë pak miq që i ka kaluar vitet e shkollës duke u përpjekur të gjente strehim te librat. Kur në moshën 16-vjeçare bindi të ëmën të shkonin në Los Angelos për të provuar fatin e saj për t‘u bërë aktore kishin vetëm 75 dollarë në xhep, ndërsa makina u shërbeu si shtëpi për tre muaj rresht. Me pak fjalë, Hilary Swank e di mirë se ç‘do të thotë të kalosh shumë pengesa në jetë e pastaj të ringrihesh sërish, e ndoshta për këtë arsye është tërhequr gjithmonë nga personazhe që kanë kaluar vështirësi të mëdha në jetë. Në "Boys Don‘t Cry", filmi i saj i parë si protagoniste pas disa serialesh televizive dhe shumë refuzimeve, ka interpretuar rolin e një vajze që vishej si djalë me të cilin fitoi menjëherë çmimin "Oskar". Pesë vjet më vonë, hyri në historinë e kinemasë me një statujë të dytë si aktroja më e mirë në filmin "Million Dollar Baby" me regji të Clint Eastwood. "Jam një vajzë e rritur në rulotë, por që kisha një ëndërr", tha Swank në mbrëmjen e marrjes së çmimit. Ajo ëndërr iu bë realitet. Edhe zgjedhjet e tjera të saj, nga profesoresha idealiste në "Freedom Writers" te femra fatale në "Black Dahlia", janë gra me karakter të fortë, si në të mirë ashtu edhe në të keq. Prandaj nuk na befason fakti se kur i propozuan të luante rolin e pionieres së aviacionit, Amelia Earhart, Swank që sot është 35 vjeç, u zhyt në aventurën e re me entuziazmin e atij që mund të tregojë një histori që i përket. Në vitin 1928, kur të "fluturoje" ishte shumë e rrezikshme dhe konsideroj si një sport për meshkuj, Earhart, ishte gruaja e parë që kalonte Atlantikun e vetme. Që atëherë deri në vitin 1937, kur u zhduk në Paqësor në përpjekjen e saj për të zbuluar planetin me avion, bëri për vete Amerikën dhe pjesën tjetër të botës me veprimet e saj, e për më tepër me personalitetin e një gruaje të lirë dhe të vendosur. Amelia ishte një vajzë që vishej bukur, paksa si djalë, me flokë të prera shkurt, fizik të dobët dhe zakonisht mbante pantallona deri te gjuri. "Është një grua të cilës nuk i është dashur kurrë të justifikohet përse ndoqi ëndrrën e saj. Ishte një nga ata njerëz që preferoi të vdiste duke bërë atë që i pëlqente sesa të jetonte me pengje dhe keqardhje. Në këtë pikë ka qenë një burim frymëzimi për të gjithë, veçanërisht për ne gratë", tregon Swank. Në "Ameila", të drejtuar nga Mira Nair, Richard Gere interpreton pjesën e një biznesmeni që para se të martohej me të krijoi një firmë me emrin e saj për valixhet dhe veshjet. Por, duhet thënë se edhe në momentin e martesës, ajo nuk besonte në "kodin mesjetar të besnikërisë". Ewan McGregor, është Gene Vidal, babai i shkrimtarit Gore Vidal, dhe për shumë vjet i dashuri i saj. Tre aktorë të mëdhenj për një film, për të cilin kritika ka qenë e ashpër. "Një përulje zhgënjyese për këtë jetë të jashtëzakonshme", shkroi "Los Angelos Times", ndërsa "Variety", e ka cilësuar si një punë sipërfaqësore. E vetmja që shpëtoi nga kritikat ishte Hilary, që me vendosmërinë e saj për të luajtur këtë rol iu desh të punonte fort për të imituar theksin dhe veprimet. Madje edhe ngjashmëria fizike është aq e madhe sa shumë mendojnë se Amelia e vërtetë dhe Hilary Swank janë i njëjti person. Ja si e tregon ajo aventurën e saj.
Hilary, ju duket se pëlqeni gjithmonë personazhet e grave të forta, të vendosura, të pavarura...
Nuk po kërkoj të krijoj një lloj tipi imazhi. Kur merresh me kinema ke edhe shumë gjëra të tjera për të cilat duhet të shqetësohesh. Por kanë kaluar dhjetë vjet "Boys Don‘t cry", dhe tashmë është e qartë se ekziston një "fije" që lidh filmat e mi. Me Amelian për shembull, e kam ndier se kisha shumë gjëra të përbashkëta. Earhart ishte një grua që donte aventurën dhe që nuk e pa të arsyeshme t‘i kërkonte falje askujt se përse bëri jetën që dëshironte. E kishte kuptuar herët se jeta ikën shumë shpejt dhe se duhet ta jetojmë në maksimum. Amelia ishte edhe një grua shumë kurioze që i pëlqente të udhëtonte. Për mua ky film ishte si një shollë jete. E kam përjetuar shumë historinë e saj.
Earhart ishte edhe një grua shumë e lirë seksualisht?
Unë besoj te monogamia, por admiroj faktin se ajo zgjodhi të jetonte ashtu si e pa ajo të arsyeshme. Akoma sot është e vështirë të jetojë duke ndjekur ëndrrat e saj duke mos iu përgjigjur asaj që presin nga ajo prindërit, partneri, fëmijët. Imagjino si mund të ketë qenë në vitet ‘30...
Ju flisni gjithmonë për jetën si një aventurë. Ju pëlqen rreziku?
Në moshën 20-vjeçare, u hodha me parashutë për herë të parë dhe që atëherë kuptova se rreziqet duhen marrë parasysh. Edhe në profesionin që bën është kështu: më pëlqen të pranoj role që janë si një sfidë, që më ngjallin frikë. Role që më detyrojnë të pyes veten çdo ditë: a do t‘ia dal mbanë?
Për këtë film ke punuar shumë për ngjashmërinë me Earhart. Mësove edhe të pilotosh?
Nuk mund të imagjinosh të interpretosh Amelia Earhart nëse nuk di të drejtosh një avion. Kam mësuar, por nuk kam mundur ende të marr patentën.
Hilary, cilat janë cilësitë e tua më të mira?
Kurioziteti, besoj. Që fëmijë ime më thoshte gjithmonë, boll i fiksove njerëzit, por mua më duket një sjellje njerëzore shumë tërheqëse.
Po defektet tuaja?
Kam shumë, por na takon ne të vendosim se çfarë duhet të bëjmë me një kompleks tonin, ta injorojmë apo ta përdorim për të mësuar diçka. Personalisht, në përpjekjen për t‘u kujdesur për të tjerët shpesh përfundoj duke harruar se kush jam vetë: edhe në këtë pjesë "Amelia" më ka mësuar shumë gjëra.
Pas dy çmimeve "Oskar", e keni akoma vendosmërinë që kishit në ditët kur flinit në makinë?
Kam pasur shumë vendosmëri, por ka ende shumë gjëra që duhet të bëj. Jam një grua ambicioze. Megjithatë, sot jam më e qetë. Nëse sot nuk kam një punë që më pret, nuk më zë paniku. Edhe pse është e vërtetë se nuk kam më shtysën e dikurshme, nuk jam nga ato që e lë veten pas dore. Ka ende shumë gjëra që dua të bëj. Për më tepër kam shumë gjëra për të mësuar në jetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›