Grabitet me armë një dyqan celularësh
Grabitet me armë një dyqan celularësh në qytetin e Laçit, vetëm pak metra larg Komisariatit të Policisë së Kurbinit. Pronari i dyqanit, oficer i policisë bashkiake të Laçit, nën kërcënimin e armës është detyruar t’i bindet grabitësit dhe t’i “dorëzojë” xhiron ditore.
Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 22.30 të së shtunës, ndërsa pronari Mark Lleshi ka qenë i vetëm në dyqanin e celularëve.
Të njëjtat burime shprehen se grabitësi ka zgjedhur kohën që në rrugë nuk ka pasur lëvizje. Ndërsa ka hyrë brenda, ka nxjerrë pistoletën që mbante nën xhup dhe ka kërcënuar pronarin e dyqanit të celularëve, duke i kërkuar atij të dorëzonte lekët që mbante me vete dhe që kishte fituar nga xhiroja ditore.
Ndërkohë grabitësi ka rrëmbyer gjashtë celularë, të cilët kanë qenë me vlerë të konsiderueshme, si edhe rreth 26000 lekë. I ndodhur nën kërcënimin e armës, Lleshi është detyruar t’i bindet grabitësit duke i dorëzuar lekët dhe celularët pa e kundërshtuar. Pas grabitjes me dhunë, autori i saj është larguar nga lokali duke e kërcënuar Lleshin se do ta vriste nëse do të kërkonte ndihmën e policisë. Më pas autori i grabitjes është larguar në drejtim të paditur, duke përfituar edhe nga errësira e natës dhe ndriçimi i zonës ku ndodhet lokali. Ndërkohë Lleshi nuk ka ngurruar t’i drejtohet komisariatit të policisë, ku ka bërë denoncimin dhe kërkuar ndihmën e policisë. Ai ka denoncuar grabitjen, por pa mundur të japë shumë detaje për autorin, ndonëse ai ka qenë pa maskë. Uniformat blu kanë nisur menjëherë kërkimet për gjetjen dhe arrestimin e grabitësit, por ende nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e tij. Ndërkohë pronari i dyqanit e ka pasur të vështirë të fiksonte grabitësin dhe të japë një identikit të tij, për shkak të presionit psikologjik, edhe pse grabitësi ka qenë pa maskë. Mark Lleshi punon si polic bashkiak, ndërkohë që mban edhe postin e kryetarit të Partisë së Legalitetit për rrethin e Kurbinit.
#