E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrabanda e veshjeve vë në pranga dy vëllezërit tregtarë

Tiranë Antikrimi ekonomik i zbulon ata teksa vinin drejt kryeqytetit. Goditja bëhet te Kthesa e Lundrës

Kontrabanda e rrobave ka vënë në pranga dy vëllezër tregtarë, të cilët janë kapur në Tiranë, teksa transportonin veshje të ndryshme, që në Shqipëri i kishin futur, duke iu shmangur detyrimeve doganore. Bëhet fjalë për Bujar Xahmbazin, 33 vjeç dhe Taluantin, 23 vjeç, që janë kapur gjatë operacionit të koduar “Kapshtica II”. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se seksioni kundër krimit ekonomik-financiar, në bashkëpunim me sektorin e forcave të posaçme në Drejtorinë e Tiranës, realizuan operacionin te Kthesa e Lundrës në Tiranë, duke transportuar mallra kontrabandë në automjetin tip “Mercedes Benz”, me targë KO 748A. Pas një hetimi intensiv 4-mujor, ka rezultuar se shtetasit e mësipërm, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, kanë sjellë nga Greqia për në Shqipëri, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Kapshticë, një sasi të konsiderueshme mallrash industrialë, kryesisht xhins, pantallona të llojeve të ndryshme për femra e meshkuj, që i kalonin, duke iu shmangur kontrolleve, me qëllim shmangien nga detyrimet doganore dhe tatimore. Në momentin e kapjes në flagrancë, ata po transportonin mallrat kontrabandë të fshehura në automjet, të maskuar në mënyrë të tillë që të mos shiheshin apo konstatoheshin nga kontrollet rutinë të policisë. Po ashtu, u ushtrua kontroll në ambientet e subjektit tregtar të shtetasit Taulant Xhambazi, i cili kishte porositur mallin, nga ku rezultoi se ky i fundit kishte mallra të pajustifikuara me fatura tatimore, i cili u konfiskua nga specialistët e strukturës së hetimit tatimor pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë. Policia tha se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5960 bluza dhe pantallona të llojeve të ndryshme, 6737 palë pantallona të shkurtra, të llojeve të ndryshme për meshkuj e femra dhe një furgon, me ngjyrë gri, me targë KO748A. Nga hetimet e kryera nga specialistët e seksionit kundër krimit ekonomik financiar, u konkludua se vlera e mallrave kontrabandë të sekuestruara, arrin në 30 mijë euro. Policia tha se pas kryerjes së veprimeve të para procedurale, materialet e përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Tiranës, duke i akuzuar për veprat penale të “tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë”. Aktualisht po punohet për identifikimin dhe gjetjen e tregtarëve të tjerë, të cilët nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, kanë mundësuar futjen dhe tregtimin e mallrave kontrabandë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›