E Diel, 1 Nëntor 2026

Një muaj nga zhdukja, pesë vajzat dhe asnjë përgjegjës

Kukës Në fshat nuk besohet më te serioziteti i hetimeve për gjetjen e Bleonës

Sot mbushet një muaj nga humbja e vogëlushes Bleona Mata në Zapod dhe me gjithë kërkimet e bëra ende nuk ka një përgjegjës për ngjarjen. Familjarët tregojnë ende se ruajnë besimin te policia dhe te shteti, por njerëzit në Zapod kanë nisur të mos kenë besim tek ata që hetojnë çështjen e Bleonës. Prindërit dhe gjyshërit e Bleonës tregojnë se janë duke përjetuar ditë të vështira të një ankthi të tmerrshëm dhe se vetëm shpresa i mban në këmbë. “Nuk kemi asnjë lajm për Bleonën, por na kanë thënë se një grup i Krimeve të Rënda po heton dhe shpresa na mban gjallë”, thotë Zeneli, gjyshi i Bleonës. Edhe gjyshja, Saide, si dhe prindërit Zamiri dhe Bukuria thonë që besojnë në veprimet e shtetit. “Shteti duhet të na ndihmojë dhe shpresoj shumë se një ditë do të dalë në dritë e vërteta. Nuk ka mundësi të humbë vajza, kur ka qenë e shoqëruar nga pesë vajza të tjera”, thotë Bukuria, duke u treguar e kujdesshme për të hedhur dyshime të forta te shoqërueset e së bijës. Por ajo ngre pyetjen: “Si ka mundësi të humbë vajza kur ajo nuk shkoi vetë në mal, ajo nuk kishte shkuar asnjëherë në mal, as vetëm e as me të tjerë, pse ma morën nga shtëpia?”. Këto dilema kanë torturuar prej një muaji, jo vetëm familjarët, por edhe policinë, e cila në mënyrë groteske ngriti në këmbë për tri javë rresht qindra efektivë, duke kërkuar nëpër bjeshkë. Në fshat nuk besohet më te serioziteti i hetimeve për Bleonën. Marrja në pyetje e 5 vajzave e më pas lënia të lira, ka ngjallur në fshat një mosbesim te hetimet. “Vajzat e morën me vete në mal Bleonën atë pasdite në datës 22 maj 2010, dhe nuk e kthyen, ja këtë di të them unë”, tha një i afërt i fisit Mata, duke diskutuar pas lënies të lira të vajzave që kishin atë ditë me vete viktimën. “Këtu nuk ka ndonjë mister, ajo u mor nga shtëpia, kjo nuk është lojë”, tha një burrë i vjetër i fshatit, i nervozuar disi me shtetin, por edhe me familjen. “Po, edhe me familjen e kam, ajo duhet t’u kërkojë llogari vajzave që ishin me Bleonën, por së pari pse e morën. Nëse kishin dashuri për të, pse e lanë vetëm. T’i lëmë përrallat, se nuk do të marrim në hetim arushën e malit apo ujkun, duke i pyetur mos kanë parë Bleonën?”, tha plaku nga Zapodi. Vajzat që morën Bleonën me vete në mal të shtunën më 22 maj, vazhdojnë t’i përmbahen qëndrimit sipas të cilit ata as dinë gjë e as kanë gisht në humbjen e saj. Ato që janë marrë pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Qamilja, Genta dhe Alketa kanë hedhur poshtë edhe versionin që ato t’i ketë ndjekur ndonjë person, siç ka treguar Saidja, gjyshja e viktimës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›