E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimet për Bleonën shtrihen në Maqedoni

Një mjet që doli nga Shqipëria ka kaluar disa herë kufirin nga Kosova në Maqedoni

Dyshimet mbi një makinë të panjohur që qarkullonte ditën e zhdukjes së Bleonës 6-vjeçare në Kukës, kanë shtrirë hetimet edhe në Maqedoni. Kjo ka ardhur për shkak të informacioneve që ka policia mbi një makinë, e cila kohët e fundit ka kryer disa lëvizje nga Kosova në Maqedoni, por edhe në Shqipëri. Megjithatë, Policia e Shtetit, si dhe Prokuroria për Krimet e Rënda, ende nuk kanë një pistë të saktë të zhdukjes së vajzës së vogël nga Zapodi, Bleona Mata, ndërsa vazhdojnë të hetohen detajet e nxjerra nga dëshmitarët e zonës.

Automjeti tip fuoristradë, që dyshohet të ketë lëvizur me shpejtësi në orarin e zhdukjes së Bleonës, mendohet se ka udhëtuar në shtetin e Kosovës. Në këto kushte, policia ka bërë disa kontrolle të mundshme mbi mjetet që kanë kaluar në kufi gjatë asaj dite dhe ka identifikuar një të dyshimtë. Ky mjet ka lëvizur edhe në drejtim të Maqedonisë e më pas është kthyer sërish në Kosovë. Policia tha se këto dyshime i ka ngritur për shkak të identitetit të pronarit të mjetit në fjalë, pasi rezulton se është person që mund të ketë lidhje me ngjarjen.

Mjeti ishte vënë re nga banorët e zonës, të cilët kanë hedhur dyshime gjatë dëshmive të dhëna para oficerëve të policisë gjyqësore. Në fshatin Zapod, por jo vetëm atje, qarkullojnë më shumë hamendje dhe thashetheme sesa informacione nga mund të hidhet pak dritë në të vërtetën për humbjen e 6-vjeçares. Madje, edhe vetë policia, duke u mbështetur pikërisht në këto hamendje, ka marrë në pyetje rreth 50 persona të ndryshëm, nga fshati dhe farefisi, me qëllim që të mësojnë ndonjë të dhënë mbi zhdukjen e vajzës. Policia tha se ky mjet dhe pronari i saj janë nën hetim, por mungojnë të dhëna bindëse për të çuar hetimet drejt provave dhe drejt identifikimit të autorëve të mundshëm që kanë lidhje me zhdukjen e vajzës së mitur.

Gjithashtu, policia ka marrë tabulatet e telefonatave të ndryshme, për të cilat nuk jepen detaje, por që po hetohet me qëllim identifikimin e personave që mund të kenë lidhje me këtë ngjarje. Madje, policia ka vënë në përgjim disa numra, nëpërmjet miratimit të gjykatës dhe kërkesës së prokurorisë, për ata persona që ka dyshime më të forta se kanë ndikuar drejtpërdrejt ose në mënyra të tjera për zhdukjen e Bleonës. Ata persona për të cilët mendohet se mund të jenë të implikuar janë marrë në pyetje dhe më pas janë lënë të lirë. Në pamje të parë duket se vetëm policia është e interesuar të gjejë Bleonën, të gjithë të tjerët thjesht mbrohen me faktin se nuk dinë asgjë për humbjen e saj.

Një nga të dyshuarit, ishte edhe Alketa Mata, halla e Bleonës, të cilën policia lokale, si dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda e kanë thirrur dhe marrë në pyetje intensivisht për të dëshmuar mbi atë se si humbi aq papritur vajza e vogël dhe pse ajo, së bashku me shoqet e veta e morën me vete në mal. Alibia e Aketës nuk i ka bindur as vetë prindërit e viktimës dhe gati asnjë prej njerëzve të familjes Mata. Ishin të njëjtat vajza që njoftuan familjen për humbjen e Bleonës, duke pyetur fillimisht nëse kishte shkuar në shtëpi. Nisur pikërisht nga dyshimet që vajzat e rritura mund të kenë njoftuar shtëpinë e vogëlushes vetëm pasi kanë qenë të sigurta në “largimin” e 6-vjeçares, policia i ka marrë disa herë në pyetje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›