Falsifikonin patatina për fëmijë, pranga dy prodhuesve
Falsifikimi i mallrave ushqimorë ka sjellë në dy tregtarë, që kishin shtrirë aktivitetin e tyre në periferi të Tiranës. Nga specialistët e seksionit kundër krimit ekonomik dhe financiar pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, u finalizua operacioni policor i koduar “Dorittos”, duke vendosur nën pranga shtetasit Arben Ibrahim Filloli, 39 vjeç dhe Gjergji Dhiogjen Qirici, 36 vjeç, me banim në Tiranë. Këta persona u kapën në afërsi të kthesës së Farkës në Tiranë, duke transportuar mallra kontrabandë, pa poseduar asnjë dokument mbi vërtetimin e origjinës së mallit. Pas një hetimi 2-mujor, i realizuar nga specialistë të këtij seksioni, rezultoi se këta persona, në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, prodhonin mallra ushqimorë si patatina të llojeve të ndryshme në mënyrë të kundërligjshme. Nga hetimet e kryera, u konkludua se ata kishin ndërtuar ambiente në fshatin Qesarak në Tiranë, për të prodhuar dhe shitur patatina me mbishkrimin “Era Patatina me Lodra”, duke prodhuar këto mallra në mënyrë të kundërligjshme, pa miratimin më parë, të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve. Gjatë momenteve të kapjes së tyre, ato po transportonin këto mallra me furgonin tip “Ford”, me targa TR 4824R, të cilat arrijnë vlerën e 1 milion lekëve. Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe sekuestruan 35 mijë pako dhe qese plastike me mbishkrimin “Era Patatina me Lodra”, automjeti i lartpërmendur dhe makineri të ndryshme që shërbenin për të prodhuar patatinat, nga seksioni kundër krimit ekonomik-financiar u kryen veprimet e para procedurale dhe materialet e përpiluara do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke i akuzuar për veprën penale të “prodhimit të kundërligjshëm të artikujve ushqimorë”.
#