E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet me armë një kinkaleri, nuk dihen autorët

TIRANË - Një dyqan kinkalerie është bërë shenjestër e dy grabitësve të cilët nën kërcënimin e armës kanë mundur të marrin një sasi parash. Grabitja ndodhi pasditen e djeshme në Laprakë të Tiranës, kur dy persona të armatosur kanë hyrë në ambientet e brendshme të një dyqani. Ata i kanë drejtuar armën shitësit duke e detyruar t’u japë xhiron ditore. Mësohet se kërkesa nuk është kundërshtuar nga shitësi i cili ka parë pranë vetes tytën e armës. Pasi kanë marrë paratë dhe disa karta rimbushëse telefoni celular, autorët janë larguar me shpejtësi duke u shpëtuar prangave të policisë. Kjo e fundit u lajmërua menjëherë nga i dëmtuari dhe mbërriti pranë vendit të ngjarjes. Burime nga policia thanë se në bazë të përshkrimit të denoncuesit, autorët ishin të armatosur dhe mosha e tyre ishte 20-25 vjeç. Blutë shoqëruan disa persona të cilët pasi u morën në pyetje u lanë të lirë për mungesë provash. Ndërsa deri në orët e vona të mbrëmjes nuk u bë i mundur identifikimi dhe kapja e dy grabitësve. Ndërkohë, ditët e fundit subjektet private janë kërcënuar nga grabitjet me armë. Një bankë, një pikë karburanti, një kazino, një dyqan celularësh dhe së fundi kinkaleria kanë qenë shënjestër në qarkun e Tiranës. Megjithëse nga policia kanë nisur hetimet, ende nuk është zbuluar ndonjë autor për këto grabitje. Në pranga kanë përfunduar vetëm dy grabitësit e kazinosë, ngjarje që ndodhi rreth 10 ditë më parë në Kavajë. Ndërkaq blutë pohojnë vetëm se “janë të angazhuar për zbardhjet e këtyre ngjarjeve dhe së shpejti priten arrestimet e këtyre autorëve”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›