Plagosi elektricistin, burg pa afat autorit
BERAT- Gjykata e Beratit ka vendosur masën e sigurisë “burg pa afat” për 36-vjeçarin i cili plagosi me mjete të forta elektricistin e fshatit. Burime nga gjykata bënë të ditur se gjyqtari i gatshëm ka dëgjuar provat e sjella para tij nga organi i akuzës i cili më pas ka kërkuar që Mehmet Sinani të lihet në burg përgjatë kohës së hetimeve, duke e cilësuar të lartë rrezikshmërinë e tij shoqërore. Provat e paraqitura nga përfaqësuesi i akuzës kanë bindur togat e zeza, të cilat kanë vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 36-vjeçarin. Sipas prokurorisë, Sinani, banor i fshatit Allambres, komuna Cukalat, katër ditë më parë qëlloi me mjete të forta duke e plagosur elektricistin e fshatit, Kujtim Bregu. Plagosja e 48-vjeçarit është bërë në kohën kur ky i fundit ka qenë në krye të detyrës, ndërsa rregullonte një defekt që kishte lënë pa energji elektrike banorët e zonës. Goditja ka ndodhur pas një debati që Bregu e Sinani kanë pasur me njëri-tjetrin dhe ku 36-vjeçari pas plagosjes është larguar nga vendngjarja. Por arrestimi i tij është bërë vetëm pak orë më pas, pasi kanë qenë banorët e tjerë të pranishëm në vendngjarje ata që e kanë identifikuar. Mehmet Sinani akuzohet për “goditje për shkak të detyrës” dhe “plagosje”.