E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e vëllait të deputetit, dyshohet për larje hesapesh

LAÇ- Pasi kanë kaluar 48 orë nga ekzekutimi i vëllait të deputetit të PS-së Sadri Abazi, policia e Kurbinit ka bërë të mundur hedhjen e disa pistave që do të çonin në gjetjen e autorëve të mundshëm të kësaj ngjarjeje. Sipas burimeve zyrtare nga policia e Kurbinit mësohet se një nga pistat kryesore që po hetohet është ajo e larjes së hesapeve. Por ata nuk përjashtojnë mundësinë që një konflikt i mundshëm i tij me autorët, mund të ketë ardhur pas problemeve që ai ka pasur në lidhje me biznesin e tij. Po kështu, ata kanë hetuar edhe në lidhje me ndonjë hakmarrje të mundshme, pasi Përjet Abazaj, njihej si njeri mjaft problematik jo vetëm në Tiranë ku jetonte, por edhe në Dibër ku edhe ka jetuar më parë se të vinte në Tiranë. Edhe pista e një konflikti në kazino, ku viktima dyshohet se ka ngacmuar një nga punonjëset e kazinos, por që deri tani nuk është pranuar nga pronari i lokalit, apo punonjësit e tij.

Të shoqëruarit

Akoma asnjë i arrestuar për vrasjen e Përjet Abazi, 42-vjeçarit të vrarë dy ditë më parë, në qendër të qytetit të Kurbinit. Ndërsa, policia e Kurbinit ka shoqëruar mbi 40 persona për t’i marrë në pyetje. Nuk i ka shpëtuar marrjes në pyetje edhe pronari i kazinos, ku pak minuta para se të vritej Abazi ka qenë duke luajtur në të. Bëhet fjalë për Gentin Lleshin, me banim në Lagjen Nr. 1, i cili në momentin e krimit nuk ka qenë në lokal, por jashtë qytetit. Po kështu janë marrë në pyetje edhe punëtorët e kazinosë, midis tyre edhe disa vajza nga Tirana, të cilët ishin të punësuar në kazino. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Kurbinit, mësohet se janë sekuestruar edhe kamerat e një filiali banke, të cilat kanë qenë të vendosura përreth objektit.

Të njëjtat burime shprehen se dyshohet se autorët e krimit në momentin e kryerjes vrasjes kanë qenë të maskuar, ndërsa akoma nuk dihet sa ka qenë distanca që ata kanë përshkruar në këmbë, duke përfituar edhe nga errësira. 42-vjeçari Abazi, sipas dëshmive dhënë në Policinë e Kurbinit nga personat e shoqëruar, vazhdimisht vinte i shoqëruar nga 4 badigardë, dhe luante me shum të mëdha parash. Ndërsa dje ka qenë i shoqëruar vetëm me një badigard dhe në momentin e vrasjes, ai ka qenë brenda në kazino. Gjatë gjithë ditës së djeshme, kazinoja ka qëndruar e mbyllur. Ndërsa metodat speciale të policisë nuk kanë dhënë asnjë rezultat në zbulimin e autorëve.

Policia

Sipas burimeve të policisë së Kurbinit mësohet se një grup ekspertësh nga Ministria e Brendshme kanë mbërritur në Laç dhe po punojnë së bashku me policinë e rrethit për zbulimin e autorëve të krimit. Mësohet gjithashtu se trupi pa jetë i Abazit është tërhequr nga familjarët e tij, në orët e para të mëngjesit, ndërsa nuk ka qenë i pranishëm vëllai i tij, deputeti i Partisë Socialiste, Sadri Abazi, si dhe djali i tij. Vendi në të cilin u vra P. Abazi, është vetëm pak metra larg qendrës së qytetit, në trotuar, para një blloku lokalesh në pronësi të shoferit të kryebashkiakut të Laçit. Lekë Jushit, i cili i ka dhënë këto bllok objektesh me qira. Në vendin e ngritur të këtyre objekteve ka qenë quajtur ndryshim edhe si këndi i njoftimeve të qytetit, por që është privatizuar nga ana e Jushit, i cili ka ngritur edhe objektin duke e dhënë me qira.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›