Grabitet me dhunë një kazino tek “Zogu i Zi”

Një tjetër grabitje ka ndodhur në një prej kazinove të ndodhura në Tiranë. Kanë qenë dy persona të armatosur që dyshohet të jenë të një moshe të re, të cilët kanë hyrë në kazinonë e ndodhur në sheshin "Rilindja" pranë "Zogut të Zi", dhe nën kërcënimin e armëve kanë grabitur një shumë të konsiderueshme parash.
Shuma e grabitur ende nuk bëhet e ditur, ndërkohë që burime nga policia bëjnë me dije se personat që kanë kryer grabitjen nën kërcënimin e armëve kanë arritur të marrin paratë e xhiros së ditës të ndodhur në kasafortë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës rreth orës 23.45, ndërsa policia mbërriti në vendngjarje pak çaste pas ngjarjes për të nisur hetimet për identifikimin dhe zbradhjen e plotë të ngjarjes. Procedurat e para hetimore të policisë kanë konsistuar në mbledhjen e shenjave të gishtërinjve të gjetura në vendgjarje si dhe duke marrë në pyetje dëshmitarët si dhe punonjësit e kazinosë.
Autorët e kësaj ngjarje janë larguar në drejtim të paditur të ndihmuar edhe nga errësira, ndërsa policia nuk jep detaje të hollësishme rreth identifikimit apo fakteve të tjera për shkak të hetimeve.