E Diel, 1 Nëntor 2026

I riu kapet me hashash te blloku

 TIRANE - Një 26-vjeçar u arrestua me dy qese hashash, teksa lëvizte në orët e vona të natës në zonën pranë “Librit Universitar” në Tiranë. Droga është zbuluar nga patrulla e Komisariatit Nr.2, gjatë një kontrolli fizik që është ushtruar ndaj të riut. Burime nga policia thanë se është shoqëruar në komisariat Ervin Korra dhe menjëherë janë njoftuar oficerët e Antidrogës së Tiranës, në mënyrë që të merrnin deklarimet e 26-vjeçarit. Mësohet se gjatë marrjes në pyetje Korra ka deklaruar se ishte përdorues i hashashit dhe se dy qeset me bimë narkotike që i janë gjetur me vete, ai i kishte gjetur, teksa qëndronte në lulishten përballë Stadiumit “Dinamo”. Burimet sqaruan se dy qeset me bimë narkotike, kishin një peshë totale prej 1.2 gramësh. Pas verifikimeve në komisariat, rezultoi se Ervin Luan Korra, kishte qenë i shoqëruar edhe disa herë të tjera, për mbajtje të bimëve narkotike dhe ishte shprehur në të njëjtën mënyrë, që ishte përdorues, por asnjëherë nuk ka dhënë shpjegime se ku e merrte bimën narkotike, duke thënë gjithmonë se e gjen në rrugë. Në këtë mënyrë oficerët e Antidrogës, nisën procedim penal në gjendje të lirë ndaj 26-vjeçarit, por këtë herë ai do të mbahet në vëzhgim për të parë se kush është personi që i shet hashashin, që ai pretendon se e ka vetëm për përdorim vetjak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›