Çanta e harruar në rrugë alarmon policinë
TIRANË- Një çantë e braktisur e mbushur me veglat e një elektricisti, ka alarmuar banorët e rrugës "Siri Kodra" në kryeqytet. Qytetarët që banojnë në kryqëzimin e kësaj rruge me rrugën "Besa", janë alarmuar kur kanë parë çantën e braktisur në rrugë, duke menduar se brenda saj ka lëndë eksplozive.
Pasi banorët kanë parë çantën, kanë telefonuar menjëherë në sallën operative të Drejtorisë së Policisë Tiranë rreth orës 18 e 20 minuta, nga frika se mos brenda saj fshihej ndonjë lëndë e rrezikshme.
Pas njoftimit të banorëve në vendin ku ishte vendosur çanta kane mbërritur forcat e Policisë të Komisariatit nr. 3, të cilët bllokuan rrugën ku ndodhej "objekti" që në fillim u pa si i dyshimtë, duke marrë edhe masa për evakuimin e afërt të zonës.
Nga frika e prezencës së ndonjë lëndë plasëse në kryqëzimin e rrugës "Siri Kodra", me rrugën "Besa", shkuan edhe specialistë të antieksplozivit, të cilët pas disa ekzaminimeve bënë edhe shpërthimin në distancës të valixhes së vogël.
Pas shpërthimit të saj, u konstatua se brenda ndodheshin disa vegla pune të si ato të elektricistëve dhe radioteknikëve. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së kryeqytetit, brenda në çantë, përveç disa vegla që përdoren nga elektricistët, nuk është gjetur asgjë tjetër e dyshimtë. Në vendin ku është konstatuar prezenca e çantës së braktisur, policia kreu veprimet hetimore, ndërkohë që Prokuroria e kryeqytetit do të vazhdojë më tej hetimet për pronarët e çantës.
Aksidenti
Vdes një person në autostradë, arrestohet shoferi
TIRANË- Një person i moshës 46 vjeç është aksidentuar për vdekje të mërkurën rreth orës 7 e 30 minuta në fshatin Mëzes, në rrugën dytësore të Autostradës Tiranë- Durrës, ndërkohë që është arrestuar autori i aksidentit. Mark Nikolli , me banim në Tiranë, është përplasur për vdekje nga një kamionçinë tip "Benz", me targa TR 4253 G, në momentet që po kalonte nga njëri, në krahun tjetër të rrugës.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së kryeqytetit, ai autor i dyshuar i këtij aksidentit, është arrestuar Edmond Frashëri, 49 vjeç, me banim në Tiranë, i cili po drejtonte kamionçinën në momentet e aksidentit.
Këmbësori ka ndërruar jetë në vend sapo është përplasur, ndërkohë që i arrestuari akuzohet për veprën penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor". Numri i lartë i aksidenteve rrugore ka bërë që kontrollet e policisë të shtrihen në gjithë Qarkun e Tiranës, duke u marrë masa ndëshkuese çdo ditë.
Numri i lartë i aksidenteve ardhur nga mos respektimi i sinjalistikës rrugore, ka bërë që gjatë muajve të fundit të ketë aksione të Policisë Rrugore për të ndëshkuar shoferët kundravajtës. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së kryeqytetit në harkun kohor të 24 orëve të fundit janë vendosur 120 gjoba dhe janë pezulluar 13 leje drejtimi, për shoferët që nuk ka respektuar rregullat e qarkullimit në rrugë.
Aksioni ka vazhduar edhe ndaj atyre shoferëve që nuk kanë shlyer gjobat që kanë marrë, duke u pezulluar 53 leje qarkullimi të automjeteve. Gjobat janë vendosur për mos vendosje të rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, për shpejtësi jashtë normave të lejuara, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, si dhe për parkimet e gabuara .