Çështja shqiptare në analizën e Shaban Muratit
“Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës” është libri më i ri i analistit dhe ish-diplomatit Shaban Murati. Në këtë botim të “Globus R”, Murati rreket t’u përgjigjet disa prej pyetjeve që lindën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008, si “Kush është tani “shteti amë”?”, apo “Kosova, shteti i dytë, apo shteti tjetër?”. Në promovimin e librit, organizuar nga Instituti Shqiptar i Medias merrnin pjesë zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ambasadori i Kosovës në Tiranë, Gazmend Pulaj si dhe mjaft diplomatë, politikanë dhe njerëz të medias e fushave të ndryshme. Zv/kryeministri Ilir Meta u shpreh se Murati është një nga diplomatët më të njohur dhe më me përvojë të vendit. Ai e vlerësoi kontributin shumëvjeçar të Muratit në diplomaci dhe ftoi brezat e rinj të mësojnë nga kontribuuesit me eksperiencë. Sipas vetë autorit, libri merret me dinamikën e re të çështjes shqiptare dhe të mendimit politik, diplomatik e shtetëror, të lidhur me të, pas pavarësisë së Kosovës. “Këtë dinamikë e përbëjnë jo ngjarjet në kuptimin kronologjik, por koniunkturat e reja dhe vizionet e reja, që lidhen me raportin e ri gjeostrategjik të krijuar në Ballkan, pas dy ngjarjeve epokale për historinë shqiptare, pavarësia e Kosovës dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Këto dy ngjarje përmbysën konceptet dhe vizionet e vjetra dhe e fokusuan çështjen shqiptare në një perspektivë krejt të re”, - thotë Murati.