E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtoresha e Tatimeve, kompani fantazmë bashkë me 3 ekonomistë

 

TIRANE – Ish-drejtoresha e Tatimeve të Fierit, Nevila Bama, e cila dy ditë më parë iu nënshtrua masës së arrestit të vendosur nga Gjykata, akuzohet nga Prokuroria se ka krijuar një kompani fantazmë për shmangien e detyrimeve nga aktiviteti i saj privat. Sipas burimeve nga hetimi i zhvilluar prej njësisë Task Force në Prokurorinë e Tiranës, ish-drejtoresha e Tatimeve të Fierit, e cila u arrestua me akuzën “vjedhje me anë të shpërdorimit te detyrës”, ka krijuar një kompani fiktive në emër të një qytetari. Nevila Bama, në bashkëpunim me tre ekonomistë të tjerë, akuzohet se kanë qarkulluar shumat e aktiviteteve të tyre përmes kësaj kompanie fantazmë, të pa regjistruar në Tatime dhe në organet e tjera shtetërore”, thanë burimet nga hetimi. Sipas tyre, për pasojë të kësaj shmangie, arkës së shtetit i është shkaktuar një dëm financiar prej 1.5 miliardë lekë në formën e detyrimeve të pa shlyera. Dy ditë më parë Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e katër ekonomistëve, Nevila Bami, Ajeta Shkëmbi, Marjana Palla dhe Shkëlqim Sako. Të katër të dyshuarit akuzohen se kanë krijuar një kompani fantazmë në bashkëpunim mes tyre. Pronar i kompanisë në fjalë është bërë me anë të falsifikimeve një qytetar, i cili nuk kishte lidhje me aktivitetin financiar. Ekonomistët kanë qarkulluar fitimet e tyre nga aktiviteti që kryenin si ekspertë kontabël, duke i qarkulluar paratë përmes subjektit në fjalë duke shmangur kështu detyrimet ndaj shtetit. Skandali është zbuluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila ka përcjellë në Prokurori provat e mbledhura prej saj. Organi i akuzës ka nisur hetimet ndërsa Zyra task-Force kundër krimit ekonomik dhe Korrupsionit, ka dokumentuar falsifikimin e dokumenteve dhe një sërë veprimesh të paligjshme të kryera nga ekonomistët. Hetimet kanë vazhduar për disa muaj, derisa më 17 tetor Prokuroria kërkoi në gjykatë caktimin e masave të sigurisë ndaj ekonomistëve. Dy ditë më parë policia ekzekutoi masat e vendosura nga gjykata. Mes të arrestuarve ishte edhe Drejtoresha e Tatimeve në Fier, Nevila Bama, e cila kishte vetëm 12 ditë që ishte emëruar në këtë detyrë. Ajo ka qenë kandidate e PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit, me numër rendor në listë 15. Ajo kandidoi për deputete në qytetin e Lushnjës, por në bazë të rezultatit në votime nuk u rendit fituese. Gjatë kësaj kohe e dyshuara kryente aktivitetin e ekspertes kontabël në një klinikë ligjore të hapur në qytetin e Lushnjës me gjithë bashkëshortin e saj.              

Në hetim

Nevila  Bama
Shkëlqim  Sako
Marjana  Palla
Ajeta Shkëmbi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›