Grabiti degën e BKT-së, kapet 24-vjeçari
Shkon në dy numri i personave të arrestuar për grabitjen e bujshme të ndodhur në qendër të qytetit të Vlorës
Vlorë Ditën e djeshme rreth orës 14:00 nga Sektori Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë u bë i mundur finalizimi i operacionit të Koduar “B. K. T”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim Aleksandër Sinanaj, 24 vjeç, lindur në fshatin Velçë, Vlorë dhe banues në fshatin Radhimë, Vlorë, person me precedent penal. Sipas një njoftimi për shtyp të policisë, mësohet se ndalimi i 24-vjeçarit, u bë pasi dyshohet të jetë autor i vjedhjes së ‘Bankës Kombëtare Tregtare’ më datë 15.08.2011, në lagjen ‘Hajro Çakërri’ në qytetin e Vlorës.
Në momentin e ndalimit gjatë kontrollit personal iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 1 (një) gram lëndë narkotike e dyshuar Kokainë. Për kapjen e këtij shtetasi janë përdorur metodat speciale të hetimit të krimit. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprat penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit” e kryer në kushtet e dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” parashikuar nga nenet 136/25 dhe 283 të Kodit Penal. Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Disa ditë më parë policia e Vlorës ka arrestuar një tjetër të dyshuar për vjedhjen, Elins Malajn. Dy ditë para se të vidhej banka 22-vjeçari Malaj kishte bërë dhe kallëzimi në polici për vjedhjen që i kishin bërë automjetit të tij tip mercedes Benz me targa të huaja. Sipas shpjegimit që ky kishte bërë në polici për vjedhjen e automjetit, policia kishte dhe dyshimet e saj. Pra, ai i kishte shpjeguar në polici se si kishte lënë automjetin e tij ndezur në rrugë dhe kishte shkuar për të blerë një paketë cigaresh në një kioskë në trotuar dhe gjatë momentit që kishte marrë paketën e cigareve një ose dy persona që nuk i njihte i kishin marra automjetin e tij dhe ishin larguar. Këto shpjegimet e tij në polici kanë lënë dhe dyshimet e grupit hetimor, pasi në Vlorë nuk ka ndodhur vjedhje në këtë mënyrë e automjetit. Gjithsesi, nga hetimet dhe nga personi i cili kishte qenë me precedentë në polici për vjedhje të ndryshme, ka lindur dhe dyshimi i grupit hetimor për qenien e 22- vjeçarit Elins Malaj bashkëpunëtor në grabitjen e BKT-së me armë. Po ashtu burimet policore bëjnë me dije se janë afër kapjes së dy autorëve të tjerë të grabitjes së bankës, por për çështje hetimi nuk ka informacion të hollësishëm.