E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri në Tarabosh rrezikon fshatrat në kufi me Malin e Zi

Pala malazeze ka dërguar një helikopter që hedh ujë për të shuar vatrat, por era e favorizon përhapjen e flakëve. Deri tani në Shkodër janë djegur 5 ha me pyje

SHKODËR Katër vatra zjarri janë shënuar gjatë të hënës në rrethin e Shkodrës, ndërsa vetëm në orët e para të kësaj dite është mundur të shuhet zjarri në Shirokë. Banesat e kësaj lagjeje kanë mundur të shpëtojnë nga angazhimi i mjeteve zjarrfikëse dhe i vetë banorëve, ndërsa në malin e Taraboshit janë aktivizuar dhe policia pyjore e ushtria. Flakët paraqesin rrezik për fshatrat e Malit të Zi që ndodhen në kufi me Shqipërinë, pasi era po ndihmon në rritjen ne intensitetit të flakëve. Nga ana e autoriteteve të Malit të Zi janë dërguar helikopterë ujë hedhës për të shuar flakët.

Në lagjen Shirokë më të rrezikuara kanë qenë 6 shtëpi banimi afër rrugës te varrezat që kanë mundur të mos dëmtohen nga ndërhyrja e dy mjeteve zjarrfikëse. Hiri i mbetur nga djegia e pemëve dhe shkurreve ka krijuar hartën e zezë në këtë mal pranë qytetit të Shkodrës, ku pasojat janë të konsiderueshme në biodiversitetin e zonës dhe gjallesave që jetojnë këtu.

Një pjesë e forcave të ushtrisë kanë qëndruar në gatishmëri pa u larguar nga zona, pasi vatrat e zjarrit mund të riaktivizohen si pasojë e temperaturave të larta. Gjatë kësaj të hëne sipas njoftimeve të shtabit të emergjencave civile janë aktive katër vatra zjarri: 1 në Zogaj, 2 vatra në Villgar të komunës Ana e Malit dhe 1 vatër afër kanalit të Shtodrit, komuna Postribë. Të angazhuara për shuarjen e këtyre flakëve janë mbi 180 forca të ushtrisë të ndihmuara paralelisht nga shërbimet e repartit të zjarrfikësve dhe ndërmarrjes pyjore. Problematike paraqitet situata ne Anën e Malit dhe Zogaj, ku po punohet për izolimin e shuarjen e flakëve, të cilat të favorizuara nga era dhe thatësira mund të përhapen më tej. Deri tani nga flakët e zjarrit të rëna në Shkodër janë djegur mbi 5 hektarë pyje pishe, 50 hektarë pyje dhe mbi 100 hektarë me kullota. Zjarri ka djegur edhe rreth 15 banesa të pabanuara. Dëmet sipas specialisteve janë të konsiderueshme ndërsa po punohet për të patur një bilanc të plotë, përfshirë këtu edhe djegien e shumë pemëve të reja të mbjella vitet e fundit në malin e Taraboshit, si pjesë e projektit për rigjallërimin e zonave të pyllëzuara.

D.Kolaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›