Goditet banda e grabitësve, dy në pranga, dy në kërkim
Policia e Tiranës identifikon të rinjtë e kthyer në makth për qytetarët, që lëvizin në orët e vona në zona të ndryshme të qendrës së Tiranës
Tiranë Dy të rinj kanë përfunduar në prangat e policisë, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tyre janë shpallur në kërkim, si të dyshuar për një sërë grabitjesh në rrugët e kryeqytetit. Policia e Tiranës njoftoi dje realizimin e operacionit “Mesnata”, që përfundoi me arrestimin e 19-vjeçarit Nebi Selimaj, nga Kukësi, me banim në Bathore; dhe Leonard Rexha, 22 vjeç, lindur në Kukës dhe banues po në Bathore. Në kërkim si bashkëpunëtorë në një sërë grabitjesh me dhunë, policia ka shpallur Bledar Didën, 21 vjeç dhe Mikel Pjetrin, arrestimi i të cilëve sipas bluve të kryeqytetit është çështje kohe. Të katër të rinjtë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin prej kohësh ishin kthyer në tmerrin e qytetarëve që u qëllonte të kalonin në disa zona të Tiranës, në orët e vona të mbrëmjes. Sipas policisë, të katër këta persona kryenin vjedhje të qytetarëve të ndryshëm, duke përdorur dhunë nën kërcënimin e armëve të ftohta, ku në disa raste kanë plagosur dhe të dëmtuarit, ngjarje të cilat kanë ndodhur në zona të ndryshme të Tiranës. Të arrestuarit, por edhe bashkëpunëtorët e tyre, kishin zgjedhur disa rrugë të rëndësishme të kryeqytetit dhe duke përfituar nga errësira grabisnin nën kërcënimin e armëve kryesisht kalimtarë të vetmuar. Policia thotë se të rinjtë vepronin kryesisht në Rrugën e Elbasanit, në zonën pranë Muzeut Kombëtar, në rrugën “Muhamet Gjollesha” pranë 21 Dhjetorit si dhe në bulevardin “Bajram Curri”. Nga hetimet e deritanishme, policia e Tiranës në bashkëpunim me specialistë të hetimit të krimeve të Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë, kanë mundur të dokumentojnë një sërë rastesh grabitjeje ku autorë të dyshuar janë të rinjtë e arrestuar dhe bashkëpunëtorët e tyre të shpallur në kërkim. Policia thotë se nga hetimet e deritanishme të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autorë të dyshuar të vjedhjeve me dhunë të disa ngjarjeve, duke nisur nga grabitja e J. C. në Rrugën e Elbasanit, ngjarje kjo e ndodhur më 4 gusht të këtij viti, si dhe një sërë grabitjesh të tjera të ndodhura në zonat ku vepronin zakonisht katër të dyshuarit. Policia tha se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy thika me të cilët autorët kanë kërcënuar të dëmtuarit, 4 telefona celularë, dhe sende të tjera të vjedhura. Po nga veprimet hetimore të kryera, rezulton se pjesëtarët e këtij grupi kriminal kanë kryer edhe vjedhje të tjera me dhunë në zonën para Parlamentit, tek Ura Vasil Shanto, Stacioni i Trenit etj. L.Bakillari