E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri në malin Tarabosh kërcënon antenat, kapet autori

Mbrëmjen e djeshme zjarri ka avancuar duke kërcënuar investimin e bërë në këtë zonë nga një firma turke e kanadeze

SHKODËR Zbardhen shkaqet e zjarrvënies në malin Tarabosh, ndërsa ka rënë në pranga autori i dyshuar i saj. Pas hetimeve të bëra, policia ka ndaluar 58-vjeçarin Hil Gjoni, lindur dhe banues në lagjen “Skënderbeg” të qytetit Shkodër. Arrestimi i tij u bë pasi nga hetimet e bëra rezultoi se 58-vjeçari, dy ditë më parë, në ora 16.46, dyshohet se gjatë punës në objektin e tij që kishte nisur të ndërtonte në zonën e malit Tarabosh, Shkodër, ka pastruar territorin nga disa shkurre e ferra, të cilave më pas u ka vënë zjarrin. Për pasojë ky zjarr është përhapur në pyllin e pishave, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqen pyjore të malit e kullotave të Taraboshit, në disa fshatra të braktisura të Komunës Ana Malit, si dhe ka rrezikuar antenat e stacioneve televizive, kompani të internetit dhe atyre të telefonisë së lëvizshme. Zjarri në malin e Taraboshit është përhapur i favorizuar nga era, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen për lokalizimin e tij me gjithë angazhimin e forcave të policisë pyjore, ushtrisë, banorëve e zjarrfikëseve. Mjetet zjarrfikëse nuk kanë mundur të afrohen për shkak të terrenit të thyer. Zjarri është shfaqur fillimisht në drejtim të varrezave të Shirokës dhe ka dalë në krahun tjetër të malit, në Oblikë. Për orë të tëra është ndërprerë transmetimi i operatorëve radiotelevizivë në Shkodër, që kanë antenat afër vatrës së zjarrit.

Masat

Lidhur me zjarrin në malin e Taraboshit, Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër njofton se gjatë 24 orëve të fundit në malin e Taraboshit janë përfshirë nga zjarri sipërfaqe të konsiderueshme të mbuluara me pyje dhe kullota. Të shtunën rreth orës 18:30 ka filluar zjarri edhe në territorin e komunës Ana e Malit. Shtabi i Emergjencave sipas planit të gatishmërisë ka aktivizuar zjarrfikës me personelin përkatës, 45 policë pyjorë dhe 80 ushtarë të mbështetur edhe nga pushteti vendor, që kanë punuar edhe gjatë natës. Është realizuar mbrojtja e banesave në Shirokë, Zues, Xhaferaj dhe Antenat televizive. Gjatë ditës së diel është organizuar puna me strukturat e Emergjencave të Qarkut. Drejtoria pyjeve, Reparti Zjarrfikës, Batalioni i Reagimit të Shpejtë, pushteti vendor të ndihmuar edhe me efektiv te Ministrisë së Mbrojtjes në total 250 persona të angazhuar dhe të shpërndare në 5 fronte. Dëmtimet janë: 5 ha pyje pishe të djegur, 50 hektarë përshkim nga zjarri, rreth 100 ha sipërfaqe me kullota dhe 13 banesa të braktisura, në të cilat nuk jetonte askush. Strukturat e Emergjencave te Qarkut po punojnë deri në shuarjen e plotë të zjarrit. Por një zjarr i fuqishëm, vatrat e të cilit ishin prezente prej tri ditësh, ka përfshirë dhe pyjet e Munellës në Pukë.

Përhapja

Ndërsa dukeshin se ishin në shuarje, era e fortë i ka riaktivizuar vatrat, duke sjellë përhapje të zjarrit. Mësohet se flakët po i afrohen gjithmonë e më shumë, edhe për shkak të erës, minierës së Munellës, e cila është marrë në mbrojtje nga forcat zjarrfikëse, të cilat kanë ngritur dhe diga provizore për të penguar përhapjen e zjarrit .Ndërkohë forcat zjarrfikëse po tentojnë të mbrojnë edhe kampin Kanadez, i cili ndodhet pranë vatrës së zjarrit. Terreni i vështirë pengon automjetet zjarrfikëse që të ndërhyjnë për shuarjen e flakëve, ndërkohë që efektivët zjarrfikës po bëjnë përpjekje për lokalizimin dhe izolimin e vatrës së zjarrit. Nga ky zjarr mësohet se janë djegur 10 hektarë pisha në Munellë. Dy firmat e huaja që kanë investuar në këtë zone, ajo turke që ka minierën me koncesion dhe ajo kanadeze, kanë angazhuar punonjësit e mjetet e tyre për të penguar përhapjen e zjarrit, ndërsa kanë sjellë dhe një helikopter për shuarje zjarri, por ai e ka pasur të pamundur të veprojë për shkak të reve të tymit. Zjarri në Munellë rrezikon të përhapet dhe drejt fshatit Kimëz.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›