U del para plumbave për të shpëtuar të birin, vritet 45-vjeçari në Tiranë
Një ekzekutim si në filma ka qenë ai i Abdulla Vrapit, i ndodhur pasditen e djeshme në Tiranë. 45-vjeçari është përpjekur të mbrojë me trup të birin e përfshirë në një konflikt banal, duke u goditur nga 5 plumbat që i morën jetën. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme, në rrugën “Pjetër Budi” në Tiranë, ndërsa 25 minuta më vonë policia shtrëngoi prangat në duart e autorit Indrit Tresa, i cili tentoi të fshihej në një hotel në Sauk. Dëshmitarë në vendngjarje i thanë MAPO-s se para shkrehjes së armës, autori i krimit, i shoqëruar nga tre të rinj po përleshej me djalin e Abdulla Vrapit, Albertin. “Po kaloja në rrugë, kur pashë Abdullain, djalin e tij dhe vëllanë që po përlesheshin me një grup djemsh. Sherri mes tyre zgjati rreth 10 minuta, ndërsa ata goditeshin me leva dhe shkopinj bejsbolli”, - tha për MAPO-n një dëshmitar okular në vendngjarje. Përleshja mes dy palëve ka ndodhur vetëm pak metra larg vendit ku u vra Abdulla Vrapi. Djali i tij Alberti dhe Indrit Tresa janë konfliktuar fillimisht në mes të rrugës, të cilën e kishin bllokuar me një autobus dhe një automjet “Benz” e më pas palët janë përforcuar nga të afërmit e tyre. Sipas rrëfimit të dëshmitarëve, sherri me sende të forta ka vazhduar në rreth 50 metra të rrugës. Në një moment gjaknxehtësie, Tresa ka nxjerrë pistoletën dhe ia ka drejtuar Albert Vrapit. Ky ka qenë edhe momenti fatal për 45-vjeçarin, i cili fillimisht ka bërtitur e më pas i ka dalë para të birit, duke marrë në gjoks pesë plumbat e drejtuar për të. “Ai qëlloi pesë herë. Të gjithë ikëm me vrap, nga frika e plumbave, por pashë autorin dhe shokët e tij të hipnin në makinë e të largoheshin me shpejtësi”, - tregon një tjetër dëshmitar në vendngjarje. Sipas policisë, Indrit Tresa është larguar me një automjet në drejtim të Saukut, ku edhe është futur në një hotel për të humbur gjurmët, së bashku me tre shokët e tij. “Brenda disa minutave siguruam informacionin e saktë për vendndodhjen e katër djemve, më pas realizuam ndërhyrjen për arrestimin e autorit dhe tre shokëve të tij. Nga ana e të katër të rinjve nuk u bë kurrfarë rezistence” - i tha dje një oficer policie MAPO-s. Indrit Tresa akuzohet zyrtarisht për vrasje, ndërsa të shoqëruar në polici ishin dhe tre shokë të tij, të cilët rrezikojnë akuzën e bashkëpunimit në vrasje dhe dhënies ndihmë të autorit. Nga ana tjetër mësohet se nga shtatë personat e përfshirë në përleshjen masive që çoi në vrasje, katër prej tyre kanë shenja të dukshme dhune në duar dhe në trup, si pasojë e përleshjes. Dëshmitarë të ngjarjes, por edhe banorë të zonës, thanë se djali i viktimës prej disa kohësh kishte konflikte me autorin e krimit. Burime policore bënë dje të ditur se po hetojnë për të zbuluar motivin e vërtetë të konflikteve të vazhdueshme mes të rinjve, ndonëse policia ka qenë në dijeni të tyre edhe më parë. Mësohet se kohë më parë, policia ka shoqëruar familjarë të të dyja palëve si dhe shokë të dy djemve për të zgjidhur konfliktin mes palëve, që ditën e djeshme përfundoi me vrasjen e Abdulla Vrapit.
5
Plumba ka marrë në trup Abdulla Vrapi, duke humbur jetën, për të shpëtuar të birin. Autori ka tentuar të vrasë rivalin e tij, Albertin, por ka qëlluar mbi gjoksin e babait të tij
10
Minuta ka zgjatur përleshja mes familjarëve Vrapi dhe grupit të Indrit Tresës. Konflikti me leva dhe shkopinj bejsbolli ka mbledhur shumë dëshmitarë, të cilët ndihmuan në zbardhjen e krimit
Fqinji i Vrapit: Sherri nisi për një makinë
Duket si një histori e pakuptimtë, që çoi në një tragjedi, ajo çka ka ndodhur dje në rrugën “Pjetër Budi” në Tiranë. Fqinjë të viktimës AbdullaVrapi i thanë MAPO-s se përplasja mes djalit të tij dhe autorit të dyshuar ka nisur disa muaj më parë dhe shkak ka qenë mosmarrëveshja për një makinë. “Punë makine ka qenë dhe para katër muajsh. Nuk e di me saktësi, po të gjithë këtu e dinim se që përpara ca muajsh, ata kanë debatuar dhe janë konfliktuar për punën e një makine. Gjatë kësaj kohe, herë pas here kanë shkëmbyer fyerje dhe provokime reciproke, kur janë përplasur me njëri-tjetrin në rrugë, pasi Indriti kalon shpesh nga kjo rrugë. Edhe një ditë më parë, janë sharë me njëri-tjetrin. Abdullai hyri për të mbrojtur djalin dhe për t’i ndarë djemtë në fillim, por qëlloi të ishte viktima e kësaj historie”, - tregonte dje një banor i lagjes. Sipas tij, konflikti është ashpërsuar disa kohë më parë, ku mendohet se provokimet mes djemve kanë arritur deri dhe te provokimi i një vajze që mendohet se ka lidhje farefisnore me njërin nga djemtë. Sipas banorëve të lagjes përreth, ky ka qenë dhe momenti kur inati mes tyre ka degraduar dhe tensioni është rritur, duke çuar në këtë tragjedi. H.Hasani
Makina e arratisë zbuloi
fshehjen e autorit në hotel
Arratia e të dyshuarit Indrit Tresa dhe tre djemve të tjerë me një “Mercedes Benz”, fill pas vrasjes, ka zgjatur vetëm 25 minuta. Përleshja për një kohë të gjatë në mes të rrugës dhe vrasja e 45-vjeçarit mblodhën shumë dëshmitarë përreth dhe pas largimit të katër djemve policia ka mbledhur në një kohë të shkurtër të dhënat për zbulimin e vendndodhjes së tyre. Targa e makinës së arratisjes ka qenë një ndër elementët, ndërsa informacioni i largimi në drejtim të Saukut duket se çoi policinë në gjurmët e autorëve. Menjëherë u ngritën postblloqe dhe në rrugë operative, të tjerë dëshmitarë treguan itinerarin e automjetit. Në harkun kohor të 25 minutave, policia ka mbërritur në hotelin ku djemtë kishin parkuar mjetin e tyre. Burime policore bënë të ditur se djemtë janë paraqitur me urgjencë në hotel, ndërsa gjatë gjithë kohës bisedonin me shqetësim me njëri-tjetrin. I dyshuari kryesor për vrasjen, Indrit Tresa, është dorëzuar menjëherë, ndërsa shokët e tij kanë pretenduar se nuk kishin lidhje me krimin, në momentin që forcat e policisë kanë trokitur në derën e hotelit. Pas arrestimit të Tresës dhe ndalimit të shokëve të tij, policia është duke vazhduar hetimet për zbardhjen e plotë të konfliktit që solli vrasjen e 45-vjeçarit Abdulla Vrapi në Tiranë.