Rrëfimi: Si vrava nënën dhe babanë tim
Shkëlzen Halili i tregon hetuesve mekanizmin e vrasjes se ndodhur katër ditë më parë në Kurbin
KURBIN- Njeriu që ka vrarë katër ditë më parë nënën dhe babanë e tij dhe më pas ka hedhur trupat në kanal ka rrëfyer dje përpara hetuesve të gjithë ngjarjen. Shkëlzen Halili ka shpjeguar se grindja ka nisur fillimisht për një makinë që i vëllai kishte sjellë nga jashtë. Sipas burimeve të policisë lokale, ai është grindur fillimisht me të ëmën, Gjyzen e cila ishte në shtëpi. Në grindje e sipër ai ka marrë një sëpatë dhe e ka goditur atë pas qafe duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas ka marrë trupin dhe e ka fshehur në shtëpi. Gjatë kësaj kohe babai i tij, Aliu, nuk ndodhej në banesë. Djali ka pritur edhe ardhjen e babait dhe sapo ai ka hyrë në shtëpi e ka qëlluar edhe atë me sëpatë. Në këtë moment Shkëlzen Halili ka marrë të dy trupat dhe i ka hedhur në kanalin e ujërave të zeza dhe ka larë vendin me ujë në mënyrë që të fshiheshin gjurmët. Hetuesit pohuan se djali mendohet se ka probleme mendore dhe kjo do të verifikohet nga ekspertët mjeko- ligjorë. Ata dyshojnë se ai ka kaluar në depresion gjatë qëndrimit në burg në Angli pak vite më parë dhe që nga ajo kohë nuk e ka marrë më veten.