E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabiti filialin e Reiffeisen Bank, arrestohet

Sulejman Bakalli, që mori me forcë 300 mijë lekë, nuk ka mundur të shijojë më shumë se 3 orë në liri.

Luan Kondi

TIRANË – Grabiti filialin e një banke të njohur, por policia e ka venë menjëherë në pranga. Sulejman Bakalli, i cili mori me forcë 300 mijë lekë në Reiffeisen Bank, nuk ka mundur të shkojë më gjatë se 3 orë në liri, pasi agjentët e policisë, pas informacioneve të marra në rrugë operative, e kanë arrestuar atë menjëherë. Sipas burimeve policore, Bakalli është kapur në banesën e tij jo shumë larg vendit të ngjarjes dhe në cilësinë e provës materiale i janë sekuestruar lekët e grabitur.
Ngjarja
Fiks në mesditë dhe madje në sy të dhjetëra njerëzve, një person i maskuar ka grabitur dje, përmes kërcënimit me armë, rreth 300 mijë lekë në filialin e Reiffeisen Bank, në sheshin “Rilindja”, pranë ish-Zogut të Zi në Tiranë. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë të ditur për gazetën se ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 të ditës së djeshme, kur një person ende i paidentifikuar ka hyrë në mjediset e brendshme të këtij filiali dhe ka kërcënuar me pistoletë punonjësen e arkës, duke përvetësuar shumën prej 300 mijë lekësh. Punonjësit janë shokuar kur janë gjendur papritur nën trysninë e armës së një grabitësi dhe i kanë dhënë atij gjithçka që kanë pasur në arkë aty për aty. Grabitësi nuk ka bërë asnjë veprim tjetër përveçse u ka kërkuar bankierëve paratë, të cilët nuk kanë ngurruar t’ia japin. Nuk ka zgjatur as pesë minuta grabitja, ndërsa me largimin e tij punonjësit e bankës kanë dhënë alarmin.
Policia
Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila edhe pse grabitësi është larguar me makinë pa targa, ka kërkuar të dhëna për gjatësinë e tij dhe rrugën nga është larguar. Pas kësaj uniformat blu kanë kryer hetime dhe kanë arritur deri te grabitësi duke e vënë atë në pranga. Në cilësinë e provës materiale i është kapur shuma e parave 300 mijë lekë dhe maskat me të cilat ka kryer grabitjen. Specialistë të seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë që kanë ndjekur gjurmët e grabitësit derisa kanë arritur ta vënë atë në pranga. I ndaluar tashmë 25-vjeçari duhet të japë përgjigje për veprimin që mendohet se e ka kryer ai.

Kapet Gjergj Cukali, i dënuari për pengmarrje, që shëtiste i lirë

Tiranë - Një person i dënuar për pengmarrje me 10 vjet heqje lirie, u kap nga policia ndërsa qarkullonte i lirë nëpër rrugët e Tiranës. Gjergj Cukali u kap dje nga blutë e Tiranës me një makinë të vjedhur tip “Porche” me targa të Kosovës. Pasi bllokoi automjetin, policia dërgoi në qeli Cukalin. I dënuari kishte marrë leje nga drejtuesit e burgut, ndërsa shëtiste i pa shqetësuar nëpër kryeqytet.

21 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›