Ekspertizë kontabël për çështjen e vlerësimit të dëmeve në Gërdec
TIRANË - Ekspertiza kontabël është një nga procedurat që po realizohet nga prokuroria e Tiranës për të hedhur dritë mbi parregullsitë e pretenduara gjatë procesit të vlerësimit të dëmeve për subjektet e prekura nga shpërthimi i fuqishëm i 15 marsit në fabrikën që çmontonte municione luftarake në fshatin Gërdec, të Bashkisë së Vorës. Kjo u bë e ditur të premten nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës, të cilat konfirmuan se ekspertiza kontabël po realizohet nga një grup i përbërë nga tre specialistë të fushës. Prej pak ditësh prokuroria ka marrë në shqyrtim materialin denoncues të referuar nga strukturat e policisë së Tiranës, ku pretendohet se në disa raste ekspertë të Komisionit të Vlerësimit të Dëmeve kanë abuzuar me llogaritjen e vlerës financiare të dëmit. Për momentin mësohet se ende nuk është ngritur akuzë për ndonjë person konkret, për shkak se hetimet sapo kanë filluar.
21 Qershor 2008