Grabiti pasagjerët me armë, dënohet 10 vite burg
04/03/2005 Dhjetë vite heqje lirie u dënua dje i pandehuri Mustafa Bushati, akuzuar për veprën penale të vjedhjes me dhunë. Po kaq ishte edhe masa e dënimit e kërkuar nga prokurori, ndërkohë që avokati Pelivan Luçi kërkoi pafajësi. Gjashtë muaj më parë, i pandehuri nga fshatrat e Dibrës i del përpara një furgoni me pasagjerë. I armatosur, i pandehuri kërkon nga pasagjerët të gjithë bizhuterit dhe paratë që kishin në xhepa. Pasi merr çfarë deshi, Bushati largohet, por nuk mund t'i shpëtonte dot prangave të policisë. Në makinën ku u krye grabitja me armë, ishte edhe një nga punonjësit e policisë. Ky i fundit i bindet urdhrit të grabitësit, por më pas e denoncon atë me emër. Para gjykatës, i pandehuri nuk e ka pranuar akuzën, duke deklaruar se ditën e ngjarjes ka qenë në shtëpi. Ndërkohë që disa nga pasagjerët kanë treguar se personi i marrë i pandehur ishte ai që u grabiti bizhuteritë dhe paratë në xhepa.