E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vajza e Bisht–Pallës, koha e paraburgimit për të pandehurin

04/03/2005  Dënohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda vetëm me kohën e paraburgimit i pandehuri Eduard Hersi, akuzuar fillimisht për veprën penale të trafikimit të të miturave. Vetëm dy vite heqje lirie ishte dënimi i dhënë nga gjykata për të pandehurin, dënim të cilin ai tashmë e ka kryer. Ashtu si edhe akuza që kërkoi heqjen e veprës penale të trafikimit, edhe gjykata ishte e të njëjtit mendim. Për Hersin mbeti në fuqi vetëm akuza e falsifikimit të dokumenteve. Prokurori Eugen Beçi i kërkoi gjykatës dënimin e të pandehurit vetëm me tre vite heqje lirie për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, ndërsa u tërhoq për akuzën e trafikimit të Oltjona Limajt. Vajza që e dërgoi në pranga Hersin, i thirrur nga shumë shokë me emrin "Foksi", ka shumë histori përdhunimi dhe trafikimi. Kjo ka bërë që gjykata të mos marrë parasysh deklarimet e saj dhe të vlerësojë si të vërteta deklarimet e të pandehurit. Njihet si një nga vajzat që ka dërguar në burg numrin më të madh të djemve, duke filluar nga reparti i Bisht–Pallës. Tashmë, vajza ka rënë edhe vetë në duart e policisë. Ajo ndodhet në arrest burgu pa afat për veprën penale të ushtrimit të prostitucionit. Gjykata në vendim u shpreh se, provat e paraqitura para gjykatës treguan që vajza me emrin Oltjona Limaj ka ikur në Kosovë me dëshirën e saj dhe kur është kapur nga policia ka deklaruar se është trafikuar. Gjykata pohoi disa dëshmi të pronarëve të lokalit në Kaçanik të Kosovës, ku vajza ka qëndruar disa ditë. Po kështu, edhe morali i saj ka ndikuar në dhënien e vendimit dhe heqjen e akuzës së trafikimit për Eduard Hersin. Më 8 janar 2004, Eduard Hersi, i vitlindjes 1966, baba i katër fëmijëve, merret i pandehur nën akuzën e trafikimit të fëmijëve. Emri i Hersit, i thirrur ndryshe "Foks", doli nga goja e vajzës Oltjona Limaj, e cila vetëm pak muaj më parë kishte arritur të tregonte emrat e ushtarëve të Bisht-Pallës dhe t'i dërgonte për hetim. Ndërsa në nëntor ajo shpërtheu skandalin e parë, në janar nxjerr skandalin e dytë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›