E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shoferi, për vrasjen e Muçës, arrestuam Dritan Meangën

04/03/2005  Policët e grupit të gatshëm, që në 31 korrik u vunë në ndjekje të makinës "Audi", me të cilën lëvizën autorët e vrasjes së Taulant Muçës, mbrojnë të pandehurit në sallën e gjyqit. Shoferi i makinës së policisë me të cilën u realizua ndjekja, tha dje se kolegët e tij bënë të mundur ndalimin dhe më pas arrestimin e Dritan Meangës si autor të vrasjes. Por më pas, tha ai, nuk dihet çfarë është bërë. Meanga, sipas dëshmitarit, ishte edhe pronar i makinës tip "Audi". Gjon Kerri quhet polici që dje para Krimeve të Rënda dha dëshminë e tij në favor të të pandehurve.

Akuza

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbledhur prova të mjaftueshme për dy të pandehurit, Dorjan Stafa e Besnik Keta. Ajo i ka sjellë në gjykatë si të dyshuarit kryesorë për vrasjen e Muçës. Drejtpërdrejtë në këtë lojë është futur Besnik Keta, të cilit Muça i kish vrarë më parë vëllain e tij, Fatos Keta. Por policia, pas vrasjes së Taulant Muçës, i intensifikoi veprimet e saj dhe gjurmët e para e çuan tek Dritan Meanga. Kështu, Meanga, më 31 korrik 1998, arrestohet nga policia si i dyshuari kryesor për vrasjen e Taulant Muçës. Policia kishte një provë të fortë në dorë që mund të vinte në pranga Meangën. Makina tip "Audi", e gjetur jo shumë larg nga vendi ku u vra Taulant Muça, ishte në pronësi të tij. Policia e vë në pranga Meangën dhe gjatë kontrollit të banesës i gjendet një automatik. Pas kësaj policia i intensifikoi më shumë veprimet, duke marrë zemër edhe nga arma e gjetur. Por më pas ndodhi ndryshe. Gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes ku u vra Taulant Muça, vëllai i Gaz Muçës, nuk korrespondonin me ato të automatikut që iu gjet në shtëpi Dritan Meangës, një prej pjesëtarëve të grupit të Naim Zyberit. Megjithatë, Meanga vazhdoi të qëndronte në burg. Veprimet e dyta që e nxorën jashtë loje Meangën, u bënë me gjurmët e gishtave të gjetura në makinën e tij tip "Audi". Ish i pandehuri Meanga është shprehur para gjykatës, në momentin që u mor në pyetje, se makina ka qenë në pronësi të tij, por ai nuk ka patur gisht në vrasje. Meanga ka thënë se nuk ia ka dhënë askujt makinën në përdorim, por pas ngjarjes ka mësuar se ajo i është grabitur në shtëpi për të kryer një krim. Ai nuk i ka njohur asnjëherë personat që i kanë grabitur makinën, e cila dashur pa dashur është bërë pjesë e një loje të rrezikshme. Dritan Meanga është dënuar nga Gjykata e Tiranës me gjashtë muaj burg për akuzën e armëmbajtjes pa leje.

Provat

Dorian Stafa dhe Besnik Keta janë dy personat ndaj të cilëve rëndon akuza e vrasjes me paramendim të Taulant Muçës, në korrik të vitit 1998. Sipas prokurorit, kundër tyre ka prova të pakundërshtueshme. Gjurmët e gishtave të gjetura në makinë kanë korresponduar me ato të dy të pandehurve. Megjithatë gjatë hetimeve paraprake, të pandehurit nuk kanë dhënë asnjë shpjegim. Këtë fakt e ka pohuar edhe prokurori i çështjes. Ata nuk e kanë pranuar akuzën e vrasjes me paramendim, edhe pse e dinë shumë mirë se gjurmët e gishtave i kanë tradhtuar. Prokurori tha se, Besnik Keta e ka vrarë Taulant Muçën për t’u hakmarrë për vrasjen e vëllait të tij, Fatos Keta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›