Shkollat, abuzime me tekstet alternative
FIER- Tekstet jashtëshkollore alternative blihen nga nxënësit e shkollave 9-vjeçare të qytetit të Fierit pa u rekomanduar nga Drejtoria Rajonale e Arsimit Fier apo nga Ministria e Arsimit. Një rast i tillë ka ndodhur në shkollën 9-vjeçare “Andon Xoxa”, ku një libër që flet për qytetin e tyre, Fierin, u është thënë nxënësve ta blejnë në libraritë e qytetit e më pas u është rithënë se nuk do ta përdorin më. Fakti pohohet edhe nga mësuesja e gjuhës shqipe M.Z., në këtë shkollë 9-vjeçare, e cila thotë se libri në fjalë (i pamiratuar nga institucionet përkatëse) është rekomanduar për t’u blerë nga nëndrejtoresha e shkollës përkatëse dhe më pas me të është punuar me nxënësit. Por, vetëm pak më pas ai libër nuk është përdorur më, duke thënë se do të përdoret një tjetër tekst. Lidhur me këtë fakt, përgjegjësi i sektorit të trajnim-kualifikimit pranë Drejtorisë Rajonale Arsimore të Fierit, Xhevahir Kajusha, shprehet: “Nga ne nuk dihet asgjë. Ky libër nuk është autorizuar as nga drejtoria dhe as nga ndonjë udhëzim i ministrisë për literaturën ndihmëse dhe nxënësit nuk janë të detyruar ta blejnë atë”. Po sipas Kajushës, në rast se mësues të veçantë apo drejtorë shkollash detyrojnë nxënësit për të blerë libra që nuk janë të miratuar, atëherë kjo konsiderohet shkelje dhe përbën shkak për akuza të rënda ndaj tyre. Por, nga ana tjetër, nxënësit bëjnë të ditur se para se të blinin librin atyre u është premtuar se do t’u kthehen pararë, në një kohë që nuk u janë kthyer, për faktin e thjeshtë që libri nuk është në listën e literaturës ndihmëse e për të nuk mund të ketë kompensim. Kështu nxënësit e klasës së pestë janë të detyruar të blejnë një tjetër libër, tashmë në listë, dhe të harrojnë paratë e paguara për librin e mëparshëm.