E Diel, 1 Nëntor 2026

Ryshfeti, pranga specialistit të Ministrisë së Brendshme

KORRUPSIONI/ Shefki Gjata kërkoi 1 mijë euro nga firma e ndërtimitpër të marrë në dorëzim objektin e rikonstruktuar

Inxhinieri u denoncua nga punonjësit e firmës pas kërkesës së tij për t’i dhënë para për punën që kishin kryer

TIRANË- Kërkoi 1 mijë euro për të vënë firmën mbi një dokument mbi të cilin kishte detyrë të nënshkruante, por vihet në pranga duke u akuzuar për korrupsion. Policia arrestoi dje 54-vjeçarin Shefki Gjata, specialist prokurorimesh pranë Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës. Prangosja e inxhinierit u realizua gjatë një operacioni të koduar “Fasada gri”. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit u shprehën se akuza e ngritur ndaj 54-vjeçarit është ajo e “korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, në një kohë që hetimet ndaj tij mësohet se nisën pas ankesave nga firma e ndërtimit e cila është marrë me rikonstruksionin e Shtëpisë së Pushimit.

Ngjarja

Rreth një javë më parë, firma e ndërtimit e përcaktuar përfundoi rikonstruksionin e godinës së Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës. Më pas, sipas procedurave përkatëse, punonjësit e firmës iu drejtuan specialistit të zgjedhur nga ministria, i cili duhet të bënte vlerësimin e objektit të rikonstruktuar e më pas ta merrte atë në dorëzim. Kështu, firma e ndërtimit është paraqitur te Shefki Gjata, si specialist i prokurimeve pranë Shtëpisë së Pushimit, për të bërë dorëzimin e objektit të rikonstruktuar. Por, mësohet se 52-vjeçari nuk ka pranuar që të vendosë firmën se rikonstruksioni i kryer ishte i saktë dhe si rrjedhojë edhe të merrte në dorëzim objektin (pa të cilin nuk mund të lëvrohet fondi për firmën përkatëse), duke kërkuar një sasi parash në këmbim të kryerjes së detyrës së tij. Bëhet e ditur se inxhinieri ka kërkuar më parë një ryshfet prej 1 mijë eurosh.

Arrestimi

Por ryshfeti i kërkuar nga specialisti i prokurimeve pranë Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës është denoncuar nga firma ndërtuese. Kjo e fundit ka mbërritur pranë Drejtorisë kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shtetit dhe ka rrëfyer lidhur me “propozimin” që i është bërë nga inxhinieri Shefki Gjata. Si rrjedhojë, kanë nisur menjëherë hetimet për të verifikuar denoncimin e kryer. Ndërkohë, dje në ambientet e një lokali, përfaqësues të firmës së ndërtimit vendosën t’i dorëzonin Gjatës shumën e parave të kërkuara prej tij. Por më parë policia kishte regjistruar numrat e serisë së parave që do t’i dorëzoheshin specialistit të prokurimeve. Menjëherë pas dhënies së parave përfaqësuesit e firmës janë larguar, për t’u lënë radhën oficerëve të policisë. Këta të fundit, pasi kontrolluan inxhinierin, i gjetën shumën e parave, duke i vënë menjëherë prangat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›