Bicja: Isha me kryebashkiaken kur ndodhi ngjarja
Banda e Cërrikut
TIRANË- Presidenti i asaj kohe, tashmë kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është vënë në dijeni të masakrës së Cërrikut, nga kryetarja e Bashkisë së Cërrikut në atë kohë, Mishelina Milo.
Ish-kryetari i Partisë Socialiste në Cërrik, Llazar Bicja, njëkohësisht një prej të pandehurve të akuzuar për vrasjen e gjashtë gardistëve dhe plagosjen e 14 të tjerëve në vitin 1997, ka treguar para gjykatës bisedën e Milos me Presidentin e asaj kohe Sali Berisha, për ngjarjen e 23 majit 1997.
Në procesin e djeshëm gjyqësor, ka qenë i pandehuri Bicja i cili ka rrëfyer takimin e tij me kryetaren e Bashkisë së Cërrikut po ditën e ngjarjes së masakrës.
"Kur shkova në banesën e kryetares së Bashkisë Cërrik, Mishelina Milo, dëgjova se ajo ishte duke komunikuar me Presidentin e Republikës, Sali Berishën.
Ajo i tha Presidentit se në Cërrik nuk ka banda dhe banditë, por gjithçka ndodhi si rrufe në qiell të hapur. Më tej ajo i tha Berishës se nuk dinte nëse kishte, apo jo të plagosur",-ka sqaruar dje para gjykatës i pandehuri Bicja. Më tej, ai shpjegoi para togave të zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda versionin e tij për ngjarjen e 23 majit të vitit 1997, kur u sulmuan punonjësit e Gradës së Republikës.
"Ndodhem prej 20 muajsh në burg duke më privuar lirinë dhe më kanë cenuar dinjitetin tim, si pasojë e strukturave të Policisë së Shtetit dhe organit të hetimit, të cilët më akuzojnë për ngjarjen e 23 majit të vitit 1997, ku janë vrarë gjashtë punonjës të gardës.
Nuk kam lidhje me këtë ngjarje, nuk kam lidhje as me të pandehurit, apo ndonjë person që ndodhet jashtë."-thekoi Bicja.
Sipas tij, ditën që ka ndodhur ngjarja, ai kishte qenë në Bashkinë e Cërrikut, në një takim me persona të tjerë, ku e pranishme kishte qenë edhe kryetarja e Bashkisë, Mishelina Milo.
Pas deklarimeve të Bicjes, i pandehuri Met Bozi i ka shpjeguar gjykatës se posedonte një letër të Rushan Miminit, i cili i drejtohej në vitin 2007 kryeministrit Sali Berisha, duke i treguar detaje të ngjarjes ku u vranë gardistët. I pandehuri ka shpjeguar se Mimini thoshte në letër që ishte dëshmitar okular i ngjarjes dhe kërkonte që të strehohej.
Për këtë fakt, i pandehuri i ka kërkuar gjykatës që të thirrej në cilësinë e dëshmitarit Rushan Mimimi, kërkesë e cila u pranuar nga gjykata. Ndërsa, vetë i pandehuri Roland Xhepexhiu nuk ka pranuar të flasë para gjykatës, duke lëshuar akuza ndaj drejtuesve të policisë.
"Kujt do t'i përgjigjem Agron Kuliqit, apo Sali Berishës, se dhe prokurori Aton Martini është nga Tropoja. Ata e kanë bërë këtë inskenim"-ka deklaruar dje i pandehuri Xhepexhiu.