E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitja; Maskat vjedhin 20 mijë euro te pika “Royal-M”



Maskat sulmojnë pikat valutore, sërish grabitje me armë në një pikë valutore të kryeqytetit. Dy persona të maskuar kanë grabitur rreth 2.5 milionë lekë të vjetra nga një pikë këmbimi valutor,dhe u larguan më pas nga vendi i ngjarjes duke iu shmangur arrestimit nga policia. Në vetëm nëntë ditë ka pasur dy përpjekje për të grabitur pika të këmbimit valutor në Tiranë. Ajo më 18 shkurt nuk u realizua, në sajë të rezistencës së pronares, e cila u plagos me një plumb në këmbë, ndërsa këtë herë, dy personat e maskuar morën 20 mijë euro nga pika e “Royal-M”. Grabitja me armë ndodhi mesditën e ditës së djeshme, në vendin e quajtur “Ushtari i panjohur”. Sipas dëshmitarëve që panë skenën e grabitjes, ata mbanin në duar armë dhe nën kërcënimin e tyre kanë marrë shumën e parave. Gjatë momentit të grabitjes, sipas burimeve policore, në pikën valutore ndodheshin dy punonjës. Sapo maskat janë larguar nga dyqani, ata njoftuan menjëherë policinë, e cila shkoi në vendngjarje. Uniformat blu rrethuan zonën, por dy grabitësit e maskuar kishin humbur gjurmët e tyre nëpër rrugicat e zonës, duke i shpëtuar arrestimit.

Ngjarja

Ngjarja ndodhi në një prej pikave valutore në sheshin “Ushtari i panjohur”, në vendin e quajtur “9-katëshet”, në rrugën “Dëshmorët e Lirisë”. Në orën 13:35, kur dy personat e armatosur kanë hyrë në pikën valutore, brenda në këto ambiente ishin dy punonjës. Ata kanë mbetur të shtangur kur brenda janë futur dy personat e maskuar, të cilët kanë qenë të armatosur. Sipas deklarimeve të bëra në polici, ata kanë kërcënuar që të dorëzonin të gjitha paratë që mbanin në pikën e këmbimit valutor “Royal-M”, ndryshe do t’i vrisnin. Të terrorizuar, - u shprehën burimet policore, - punonjësit kanë bërë çfarë u është thënë. Më pas, të dy personat e maskuar janë larguar me shpejtësi. Grabitësit nuk kanë qëlluar asnjëherë gjatë realizimit të planit të tyre. Ata, duke mos hasur rezistencë, morën shumën e parave dhe kanë ikur me shpejtësi. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, ata panë dy persona të maskuar që po vraponin dhe që u futën në rrugicat e zonës. Punonjësit e pikës së këmbimit valutor kanë lajmëruar policinë, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes. Ata bënë rrethimin zonës, ndërsa morën dëshmitë e para në lidhje me dy personat që kryen vjedhjen. U ngrit një grup hetimor, që po merret me hetimin e ngjarjes. U krye këqyrja e vendit të ngjarjes, si dhe u morën në pyetje dëshmitarët që kanë parë skenën në momentin e grabitjes. Sipas deklaratave të bëra, shuma që dy personat arritën të merrnin ishte rreth 2.5 milionë lekë të vjetra. Policia po punon për identifikimin e autorëve dhe për arrestimin e tyre. Dyshohet se dy grabitësit nuk kanë vepruar vetë, por janë ndihmuar edhe nga persona të tjerë, për të bërë të mundur largimin e tyre pas vjedhjes së kryer. Kjo zonë ka qenë disa herë pre e grabitjeve me armë. Kjo, për faktin se ajo është një zonë ku janë përqendruar një sërë argjendarish, si dhe pika të këmbimit valutor. Kjo është grabitja e dytë që bëhet brenda 9 ditëve me armë. Më datë 18 shkurt, dy persona të maskuar u përpoqën që të grabisnin një pikë valutore tek “Rruga e Kavajës”, por nuk ia arritën falë rezistencës së pronares, të cilën e plagosën me një plumb në këmbë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›