Grabiten me armë 2.5 milionë lekë
Grabitësit qëlluan me armë në pikën e këmbimit valutor, në qendër të Tiranës, ndërsa kërcënuan punonjësen që hezitoi t'iu jepte paratë
Si autorë dyshohen dy të rinj, rreth 25 vjeç, dyshime për lidhje me grabitjen e 10 ditëve më parë në rrugën e Kavajës
TIRANE- Brenda 10 ditësh, një pikë tjetër e këmbimit valutor ka rënë pre e grabitësve me armë në kryeqytet, pas një tjetre të ndodhur më 19 shkurt në rrugën e Kavajës. Dy persona të armatosur kanë grabitur rreth orës 13:00 të ditës së djeshme një dyqan të këmbimit valutor, përballë selisë së Partisë Demokratike, duke i marrë 2.5 milionë lekë të reja gruas që punonte në sportelin e pikës. Autorët kanë qelluar dy herë me pistoletë në ajër për të kërcënuar dhe trembur punonjësen e sportelit ndërsa ajo po mundohej të rezistonte për të mos iu dhënë paratë agresorëve. Policia ka mbërritur në vendngjarje, duke marrë dëshminë e gruas, ndërsa ekspertët kanë administruar në cilësinë e provës materiale dy gëzhoja të qitura nga pistoletat e grabitësve. Dyshimet e para të hetuesve, lidhen me mundësinë që autorët e krimit të mesditës së djeshme mund të jenë të njëjtët persona që tentuan të grabisnin një tjetër pikë të këmbimit valutor në rrugën e Kavajës më 19 shkurt.
Grabitja
Mesditën e djeshme, rreth orës 13:00, dyqani i këmbimit valutor në pronësi të Edmond Pepës, përballë selisë së Partisë Demokratike në kryeqytet është sulmuar nga dy vetë. Në dyqan kanë qenë dy punonjëset që janë përballur me tytat e pistoletave. "Hape derën", iu kanë klithur autorët një prej punonjëseve nga ana tjetër e dyqanit të ndarë me xham ku edhe ndodhej arka. Njëri prej grabitësve mbante në mbikëqyrje njërën nga punonjëset, ndërsa autori tjetër po tentonte të bindte arkëtaren të hapte derën e xhamtë. Ajo fillimisht hezitoi dhe po mundohej të shmangte hapjen e saj, por dy të shtëna pistolete të menjëhershme, e lanë atë të ngrirë duke iu "dhënë të drejtë" bujtësve. Si hynë në pjesën e pasme të sportelit, autorët mbushën thesin në arkë ku mendohet se kanë marrë rreth 25 milionë lekë të vjetra. Dy të rinjtë ende të panjohur u larguan me një motor, të shtrirë pas derës kryesore të dyqanit. Punonjëset lajmëruan policinë e cila nuk vonoi të mbërrinte në vendin e ngjarjes.
Hetimi
Nga hetimi i kryer dy personat, mësohet se kanë qenë të pajisur secili me nga një pistoletë. "Autorët dyshohet të jenë të moshës 22-25 vjeç. Mbanin në kokë një kapuç ndërsa nuk ishin maskuar në fytyrë. Grabitja është kryer me dy pistoleta dhe vetëm njëri prej tyre ka qëlluar dy herë në ambientet e dyqanit, ku u sekuestruan dy gëzhoja. Dyshohet se autorët janë të njëjtët persona që kryen grabitjen e dyqanit të këmbimit valutor në hyrje të rrugës së "Kavajës" një javë më parë.",- thanë për "Shekullin" burimet policore. Nisur nga mekanizmi i njëjtë në të dyja grabitjet policia dyshon se janë të njëjtët persona dhe po punon për identifikimin e kapjen e tyre. Deri në orët e vona të mbrëmjes policia ka shoqëruar rreth gjashtë persona në cilësinë e dëshmitarëve apo që kanë dijeni mbi rrethanat e hetimit, por të identifikuar ende nuk kishte.
Në rrugën e Kavajës u plagos gruaja e pronarit
Dy persona të armatosur ende të paidentifikuar grabitën rreth 10 ditë më parë një dyqan Exchange në qendër të Tiranës. Gjatë grabitjes ata u përballën me rezistencën e punonjëses Rudina Shameti ndaj së cilës qëlluan me pistoletë duke e lënë të plagosur. Ata qëlluan dy herë në këmbë 34-vjeçaren Shameti dhe më pas u larguan me shpejtësi me një motor në drejtim të rrugës së "Kavajës". Rudina Shameti u transportua në spital ku iu dha ndihma mjekësore, ndërsa policia nisi hetimet për të idenfikuar dhe kapur autorët. Sipas policisë dy personat mbanin në kokë kapuç të zinj dhe ishin të moshës 22-25 vjeç. Megjithëse u shoqëruan rreth 25 persona si autorë të dyshuar të ngjarjes asnjëri prej tyre nuk mbeti pas hekurave për mungesë provash. Policia ende nuk ka mundur të zbulojë identitetin e dy grabitësve ndërsa ditën e djeshme është përballur më një tjetër grabitje.