E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë; Vuante nga një sëmundje e pashërueshme, vetëvritet Shpëtim Xhyheri



Ka vendosur t’i japë fund jetës një prej funksionarëve më të hershëm të PD-së së Vlorës, i cili ka mbajtur poste drejtuese në parti dhe institucione të ndryshme në qytet. 65-vjeçari Shpëtim Xhyheri është gjetur mesditën e djeshme nga të afërmit e tij në banesë, teksa ishte në agoni. Ai ka drejtuar një armë të tipit çifte trupit, në pjesën e zemrës dhe e ka shkrepur atë. Familjarët kanë dëgjuar krismën dhe e kanë transportuar në spital. Por ka qenë e kotë, se sapo ka mbërritur në urgjencën e spitalit, ai ka ndërruar jetë. Trupi i 65-vjeçarit është çuar më tej në morg, ku pritet të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore. Në banesën e Xhyherit, ku edhe ka kryer aktin vetëflijues, ka mbërritur policia, e cila ka analizuar vendngjarjen, si dhe armën e përdorur prej viktimës. Ka rezultuar se shkak i vdekjes ka qenë plumbi i marrë në pjesën e zemrës. Nga deponimet e familjarëve të bëra grupit hetimor ka rezultuar deri tani se shkak i vetëflijimit të Shpëtim Xhyherit ka qenë një sëmundje e pashërueshme që ai vuante prej rreth 4 muajsh. Policia, gjithsesi, tha se po vijon hetimin mbi ngjarjen dhe zbardhjen tërësore të shkaqeve që kanë çuar Xhyherin të vetëflijohet. Shpëtim Xhyheri ka qenë një nga funksionarët e lartë në PD-në lokale. Ai ka mbajtur postin e kryetarit të PD-së së Vlorës për dy mandate nga viti 1997 deri në 2004. Gjatë kësaj periudhe ka qenë edhe në Këshillin Bashkiak të qytetit. Pas kësaj, në 2005 ai ka qenë drejtor i Portit të Vlorës, post që e mbajti për dy vjet. Më tej, ai ka qenë drejtor i Inspektoratit Ndërtimor Vlorë, nga ku dha dorëheqjen rreth 5 muaj më parë, për shkaqe shëndetësore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›