Qani Sherri; Mohon krimin, deklaron se nuk e mbyti ai gruan
Ndryshon deklarimet, para gjykatës mohon kryerjen e krimit. “Nuk e vrava unë time shoqe”, - mësohet të ketë deklaruar gjatë vlerësimit të masës 76-vjeçari Qani Sherri, i akuzuar për mbytjen e gruas së tij, pas vendimit të kësaj të fundit për t’u rikthyer në fshatin ku kishin jetuar më parë. Qani Sherri, 76-vjeçar, i cili nga policia pas ngjarjes u identifikua si autor i vrasjes, ka mohuar para gjyqtarit të gatshëm të ishte ai autori i vrasjes së bashkëshortes së tij, Zenepe Sherri, 69 vjeçe, ngjarje kjo e ndodhur në lagjen “Sharrë”, në Kombinat. Prokurori i çështjes i ka bërë të ditur gjykatës se ka prova bindëse që i pandehuri është autori i krimit, duke i kërkuar edhe caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, masë sigurie e caktuar më pas edhe nga gjykatësi i gatshëm. Nga hetimet e para, i pandehuri dyshohet ta ketë kryer krimin, pas vendosjes së viktimës për t’u rikthyer në vendlindjen e saj, në fshatin Losnik të qytetit të Pogradecit. Ngjarja për të cilën akuzohet 76-vjeçari ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit të tri ditëve më parë, kur viktima kishte përgatitur valixhen e saj me rroba dhe kishte vendosur të largohej nga banesa. I pandehuri dyshohet ta ketë mbytur me duar, duke i shkaktuar vdekjen. Sipas një ekspertizë të kryer nga ana e mjekëve ligjorë, viktima ka vdekur si pasojë e një asfiksie mekanike.